Beograd, 20 gusht 2025 – Politologu Naim Leo Beshiri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Çështje Evropiane në Beograd, ka thënë se Serbia ka hyrë në krizë të thellë politike.
Beshiri ka thënë se fuqia e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “buron vetëm nga frika dhe dhuna” dhe ka shprehur bindjen se rënia e tij është e pashmangshme.
“Fati i tij varet nga dy presione: ai i brendshëm, që rritet çdo ditë, dhe ai i jashtmi, nga BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë. Kur këto të bashkohen, rënia e tij është e pashmangshme”, ka thënë ai, në një intervistë për Klubin e Debatit Politik.
Sipas Beshirit, Serbia gjendet përballë demokracisë dhe autokracisë, ndërsa qytetarët po luftojnë kundër autokracisë.
“Serbia mbetet e bllokuar mes iluzioneve dhe realitetit. Projekti i ‘botës serbe’ mban tensione në rajon, Kosova instrumentalizohet, ndërsa lidhjet me Rusinë dhe Kinën i japin regjimit mbështetje politike afatshkurtër. Rruga e vetme për zhvillim e demokratizim mbetet Bashkimi Evropian. Nëse e shmang këtë rrugë, Serbia do të përfundojë në izolim më të thellë. Protestat tregojnë qartë se qytetarët kërkojnë Evropën, jo autokracinë, edhe pse janë të zhgënjyer nga reagimi i BE-së”, ka thënë ai.
Beshiri ka thënë se studentët përmes protestave nuk kërkojnë ndryshime kozmetike, por ndërprerje të qeverisjes autokratike. Kjo u jep epërsi morale dhe i dallon nga opozita tradicionale.
“ Pushteti ka reaguar me forcë. Policia ka përdorur dhunë të tepruar në Beograd, Novi Sad, Nish, Shabac dhe Valjevë. Raportohet për arrestime, rrahje dhe tortura ndaj studentëve. Një studente tregoi se ishte kërcënuar me përdhunim dhe ishte dhunuar fizikisht. Këto dëshmi e komprometojnë pushtetin dhe ndezin më shumë zemërimin publik. Regjimi përpiqet ta paraqesë gjithçka si ndikim të huaj, por dhuna tregon frikën, jo forcën e tij”, ka thënë ai.
Beshiri ka thënë se studentët kanë kërkesa të qarta dhe radikale: zgjedhje të lira e të ndershme, media të pavarura, përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad dhe ndëshkim për brutalitetin policor.
(r.m.)