NATO: Aleatët e aleancës do të punojnë së bashku për sigurinë në Arktik

Davos, 21 janar 2026 – Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, në Davos, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Pas takimit, një zëdhënës i NATO-s tha se vendet e aleancës do të punojnë për ta siguruar së bashku sigurinë në Arktik.

“Diskutimet midis aleatëve të NATO-s mbi kornizën që presidenti përmendi do të përqendrohen në garantimin e sigurisë në Arktik përmes përpjekjeve kolektive të aleatëve, veçanërisht të shtatë aleatëve të Arktikut”, tha zëdhënësi.

“Negociatat midis Danimarkës, Grenlandës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë me qëllim që Rusia dhe Kina të mos fusin kurrë këmbë – ekonomikisht apo ushtarakisht – në Grenlandë”, theksoi ai.

Rutte: Po punoj në prapaskenë për çështjen e Grenlandës

Para takimit me Presidentin Trump, Rutte tha se në prapaskenë po punon për zgjidhjen e krizës rreth Grenlandës.

“Ju siguroj se për këtë çështje po punoj në prapaskenë”, tha Rutte në një panel në Davos.

Ai tha se për këtë çështje nuk do të flasë publikisht, por theksoi se, siç u shpreh,“e vetmja mënyrë për ta zgjidhur krizën është diplomacia e menduar mirë”.

Rutte theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës, por shtoi se Amerikës i duhet “një Evropë e sigurt dhe një Arktik i sigurt”.

Ai theksoi se pajtohet me presidentin amerikan sa i përket sigurisë në Arktik.

“Duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”, theksoi ai.

Rutte: Prioriteti i SHBA-së dhe BE-së duhet të jetë Ukraina

Rutte tha se vendet anëtare të NATO-s nuk duhet të lejojnë që tensionet për Grenlandën t’i shpërqendrojnë nga nevoja për të mbrojtur Ukrainën.

“Përqendrimi në Ukrainë duhet të jetë prioriteti ynë kryesor, është thelbësor për sigurinë evropiane dhe të SHBA-së”, tha ai.

Rutte po ashtu foli për një deklaratë të bërë nga Trumpi se aleatët evropianë nuk do të ndihmonin në mbrojtjen e SHBA-së nëse një gjë e tillë do t’u kërkohej.

“Ai mbrëmë tha se ka dyshime nëse evropianët do ta ndihmonin nëse Neni 5 do të aktivizohej. I them presidentit Trump se po, ata do ta ndihmojnë”, theksoi Rutte.

“Nuk kam asnjë dyshim që SHBA-ja do të na dalë në ndihmë dhe ne do t’i dalim në ndihmë asaj”, shtoi ai.

(Sipas Radio Evropa e Lirë)