Bruksel / Londër, 22 qershor 2025 – Sulmi i SHBA-së ndaj Iranit ka ngjallur frikën se konflikti izraelito-iranian mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë rajonal, prandaj shumë vende dhe organizata anembanë botës bëjnë thirrje për zgjidhje të çështjes me mjete diplomatike, raportojnë agjencitë dhe mediet ndërkombëtare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se kthimi i stabilitetit në rajon duhet të jetë prioritet absolut, ndërsa “çelës” të zgjidhjes e cilësoi respektimin e të drejtës ndërkombëtare.
“Me tensionet në Lindjen e Mesme në një nivel të ri, stabiliteti duhet të jetë përparësi. Dhe respekti për të drejtën ndërkombëtare është çelësi”, shkroi ajo në plastformën X.
“Tani është koha që Irani të angazhohet në një zgjidhje diplomatike të besueshme. Tryeza e negociatave është i vetmi vend për t’i dhënë fund kësaj krize”, shtoi ajo.
Ursula von der Leyen theksoi se Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore.
“Irani nuk duhet të zhvillojë kurrë bombë [atomike]”, shkroi von der Leyen, në një postim në platformën X.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte thellësisht i shqetësuar për situatën në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për përmbajtje dhe diplomaci nga të gjitha palët.
“U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe sigurinë bërthamore”, tha Costa në një postim në platformën e mediave sociale X.
“Diplomacia mbetet e vetmja mënyrë për të arritur paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme. Shumë civilë do të vuajnë përsëri në një përshkallëzim të mëtejshëm”, theksoi ai.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, u bëri thirrje të gjitha palëve që të kthehen në tryezën e negociatave, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në rajon.
“U bëj thirrje të gjitha palëve të tërhiqen, të kthehen në tryezën e negociatave dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha ajo.
Kallas, edhe të dielën, theksoi se Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore.
“Iranit nuk duhet t’i lejohet të zhvillojë armë bërthamore”, shkroi Kallas, në një postim në platformën X.
Edhe Kryeministri britanik, Keir Starmer, e ka justifikuar sulmin ajror të SHBA-së ndaj tri impianteve bëthamore kryesore në Iran.
“Programi bërthamor i Iranit është një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare. Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe SHBA-të kanë ndërmarrë hapa për të zbutur këtë kërcënim”, tha Starmer në një deklaratë të lëshuar nga Downing Street.
Starmer i ka bërë thirrje Iranit të kthehet në tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit të kthehet në tryezën e negociatave dhe të arrijë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund kësaj krize”, tha Starmer.
Ministri britanik i Tregtisë ka thënë se Londra nuk është përfshirë në sulmin amerikan në Iran dhe as nuk ka kërkuar ta shfrytëzojë bazën britanike në Diego Garcia, por ka qenë e informuar për sulmin.
NATO tha gjithashtu se po i ndjek nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme, posaçërisht pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj tyri objekteve bërthamore në Iran.
Një zyrtar i NATO-s i tha agjencisë Reuters se Aleanca po e monitoron nga afër situatën.
“Sigurisht që po e monitorojmë nga afër situatën “, ka thënë ai për Reuters, duke u përgjigjur për reagimin e NATO-s ndaj sulmeve dhe për ndikimin eventual në misionin e Aleancës në Irakun fqinj.
(r.m.)