NATO: Do të vazhdojmë mbështetjen për Afganistanin

Bruksel, 13 gusht 2021 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten (13 gusht) se aleanca do të vazhdojë prezencën e saj civile diplomatike në Afganistan dhe se do të vazhdojë të mbështes trupat afgane në përballjen e tyre me ofensivën e talibanëve.

“Qëllimi ynë është që sa më shumë që të mundemi të mbështesim qeverinë dhe forcat e sigurisë afgane. Parësore është siguria e personelit tonë. NATO do të mbajë praninë tonë diplomatike në Kabul dhe do të vazhdojë të përshtatet sipas nevojës”, tha Stoltenberg, në një deklaratë pas një takimi të përfaqësuesve të NATO -s.

Talibanët kanë marrë kontrollin e një sërë kryeqytetesh rajonale gjatë një ofensive që e nisën menjëherë pasi forcat e huaja, në muajin maj, filluan tërheqjen nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe njoftuan të enjten se do të dërgojnë mijëra trupa në Afganistan për të evakuuar qytetarët e tyre.

Të premten u njoftua se ka filluar dislokimi i rreth 3 mijë trupave amerikane.

“Talibanët duhet të kuptojnë se ata nuk do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare nëse e marrin vendin me forcë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur një zgjidhje politike të konfliktit”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

“Situata në Afganistan është katastrofike”, tha një diplomat perëndimor për AFP-në.

Aleatët e NATO -s, Danimarka dhe Norvegjia njoftuan se do të mbyllnin përkohësisht ambasadat e tyre në Kabul.

Kryengritësit morën kontrollin në Kandahar, qyteti i dytë më i madh i Afganistanit dhe gjithnjë e më shumë janë duke iu afruar kryeqytetit Kabul.

Disa agjenci raportojnë se është çështje kohe se kur do të nisë ofensiva e talibanëve për të marrë kontrollin e kryeqytetit.

Qeveria afgane tani ka humbur kontrollin e pjesës më të madhe të vendit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha gjatë kësaj jave se nuk është penduar për vendimin e tij për tërheqje të trupave nga Afganistani duke theksuar se Uashingtoni ka shpenzuar më shumë se 1 trilionë dollarë në luftën më të gjatë të SHBA-së si dhe ka humbur mijëra trupa.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

(REL)