NATO-ja miraton forca shtesë për shkak të tensioneve në veri të Kosovës

Bruksel, 29 shtator 2023 – Aleanca Veri-Atlantike ka konfirmuar sot se ka autorizuar dërgimin e forcave shtesë në Kosovë, për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s thuhet se KFOR-i do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

“Që nga maji, ne e kemi rritur praninë e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

Në deklaratë thuhet se KFOR-i vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët, në Beograd dhe në Prishtinë, si edhe me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, misionin e OKB-së në Kosovë dhe me komunitetin diplomatiK për ruajtjen e paqes dhe qetësisë në Kosovë.

NATO ka bërë thёrrje të gjitha palëve për depërshkallëzimin e situatës në veri dhe për vazhdimin e dialogut, duke e cilësuar si mënyrë të vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të depërshkallëzojnë situatën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

(r.m.)