NATO-ja shënon 75 vjetorin mes sfidave të sigurisë

Bruksel, 4 prill 2024 – NATO-ja e shënoi të enjten 75-vjetorin e themelimit me premtimin e kryediplomatëve të vendeve të saj se do të qëndrojnë në krah të Ukrainës, por lufta po e vë në provë unitetin dhe vendosmërinë e aleancës. Traktati i themelimit të saj u nënshkrua në këtë datë në vitin 1949. Suedia po merr pjesë në një takim të ministrave të NATO-s për herë të parë që nga anëtarësimi i saj muajin e kaluar.

NATO-ja u krijua me garancinë e mbrojtjes kolektive në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut. Qindra punonjës të aleancës u mblodhën në selinë e saj në Bruksel, teksa bandat ushtarake belge dhe holandeze interpretonin himnin e NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg tha se në këtë përvjetor Traktati i Uashingtonit, dokumenti i themelimit të NATO-s është për herë të parë në selinë e aleancës.

“Asnjëherë nuk ka pasur një dokument të vetëm kaq të përmbledhur, që do të thotë kaq shumë për kaq shumë njerëz. Kaq shumë siguri, aq shumë mirëqenie dhe aq shumë paqe”, tha ai.

Përvjetori i aleancës vjen ndërsa 32 vendet anëtare të saj po shqyrtojnë një plan për të ofruar mbështetje afatgjatë ushtarake për Ukrainën.

Ukraina po vuan në fushën e betejës nga mungesa e municioneve dhe këtë javë uli moshën e rekrutimit ushtarak nga 27 në 25 vjeç, në një përpjekje për të ripërtërirë radhët e ushtrisë.

Ministri i saj i jashtëm, Dmytro Kuleba bëri thirrje për ndihma ushtarake.

“Shpëtimi i jetëve të ukrainasve, shpëtimi i ekonomisë së Ukrainës dhe i qyteteve të Ukrainës varet nga dërgimi i sistemeve Patriot dhe sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Po flasim për sistemin Patriot sepse është i vetmi sistem që mund të frenojë raketat balistike. Dhe vetëm në mars, Ukraina u godit me 94 raketa balistike. Por sigurimi i sistemeve Patriot varet nga aleatët”, tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën në një takim me zotin Kuleba.

“Mbështetja për Ukrainën, vendosmëria e çdo vendi të NATO-s, mbetet e fortë. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi. Aleatët do të bëjnë gjithçka që munden për të garantuar që Ukraina të ketë atë që i nevojitet për të luftuar përballë agresionit rus ”, tha ai.

Por megjithë mesazhin e mbështetjes së fortë, ndihma amerikane për ushtrinë ukrainase vazhdon të jetë e bllokuar nga republikanët në Kongres.

Si zoti Blinken, ashtu edhe zoti Stoltenberg thanë se e ardhmja e Ukrainës është në NATO.

Një ceremoni më e madhe për 75 vjetorin e NATO-s është planifikuar kur udhëheqësit e aleancës të takohen në Uashington nga 9 deri më 11 korrik.

Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström po merr pjesë në takimin e parë në nivel ministrash që kur vendi i tij u bë aleati i 32-të i NATO-s muajin e kaluar.

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022 nxiti Suedinë dhe Finlandën të kërkojnë anëtarësimin.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se një nga arsyet e luftës ishte zgjerimi i NATO-s deri pranë kufijve të Rusisë.

Udhëheqësit e vendeve evropiane që përbëjnë pjesën më të madhe të anëtarëve të NATO-s, janë të shqetësuar për të ardhmen e NATO-s nëse ish presidenti amerikan Donald Trump fiton në garën me presidentin aktual Joe Biden në nëntor, duke u nisur nga qëndrimet e tij ndaj aleancës.

Zoti Stoltenberg vuri në dukje nevojën e unitetit mes SHBA-së dhe Evropës.

“Tek NATO-ja, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë miq dhe më shumë aleatë se çdo fuqi tjetër e madhe. Unë nuk besoj tek një Amerikë e vetme, ashtu siç nuk besoj tek një Evropë e vetme, unë besoj tek Amerika dhe Evropa së bashku në NATO.”

Uniteti është në themel të aleancës, parimi kryesor i së cilës është mbrojtja kolektive e parashikuar në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit, sipas së cilit një sulm ndaj një anëtari, konsiderohet si sulm ndaj gjithë aleancës.

Neni është përdorur vetëm një herë, pas sulmeve të Al-Kaidës në Shtetet e Bashkuara në vitin 2001.

(Zëri i Amerikës)