NATO: KFOR-i e negocioi për tëreqjen e terroristëve serbë nga Banjska

Prishtinë, 26 maj 2024 – Tetë muaj pas sulmit të grupit terrorist të grupit të paramiltarëve serbë në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, mësohet se si arritën të largohen nga vendi i ngjarjes dhe të shkojnë në Serbi pjesëtarët e kԯtij grupi.

Nga raporti fillestar i NATO-s, i diskutuar të shtunën në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, mësohet se kishte qenë misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë, KFOR, ai që kishte negociuar me sulmuesit që të iknin nga kishin ardhur.

“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një arkivë të madhe armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet në raportin e NATO-s, raporton Klan Kosova.

Ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lankaster, që është raportues për Ballkanin Perëndimor, e ka cituar një raport të hartuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, por jo edhe paragrafët që e shpjegojnë në detaje rolin e Milan Radoiçiqit në sulmin terrorist të Banjskës, i cili është shpallur i padëshiruar në SHBA dhe në Britaninë e Madhe.

Në dokumentin ku tregohen në mënyrë të detajuar historia e Kosovës dhe problemet me Serbinë, i është dhënë vëmendje e madhe pjesës veriore të Kosovës.

“Në qendër të mosmarrëveshjes janë dy çështje kyçe: mosnjohja (dhe fushata ndërkombëtare aktive kundër njohjes) dhe mënyrat dhe mjetet e integrimit të popullsisë serbe të Kosovës – veçanërisht në katër komunat veriore që kufizojnë me Serbinë, ku serbët përbëjnë rreth 90% të popullsisë. Katër komunat janë ende pjesërisht nën kontrollin e Beogradit, ndërsa Kosova kërkon të afirmojë sovranitetin mbi totalitetin e territorit të vet”, thuhet në raport.

Raporti e cilëson si sfidë zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë të arritura vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Komisioni për mbrojtje e siguri i Asambesë së Përgjithshme të NATO-s niisi të shtunën mbledhjen tri-ditëshe. Në rendin e ditës është edhe kërkesa për avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese e Asamblesë Parlamentare në anëtare të asociuar të kësaj organizate. Sipas axhendës, kjo kërkesë do të shqyrtohet ditën e hënë.

(r.m.)