NATO pajtohet për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje, Trump e quan fitore për SHBA-në

Hagë, 25 qershor 2025 – Udhëheqësit e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) janë pajtuar për një rritje masive të shpenzimeve për mbrojtje, pas presionit nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe u zotuan se do të ndihmojnë njëri-tjetrin, në rast se ndonjë nga shtetet anëtare sulmohet.

Pas samitit, Trump e mirëpriti vendimin e NATO-s dhe e cilësoi si fitore “monumentale” për shtetin e tij.

“Është fitore monumentale për SHBA-në sepse ne ishin duke bartur më shumë [barrën financiare]”, tha Trump për gazetarët.

Në deklaratën përfundimtare, të përkrahur nga 32 udhëheqësit e NATO-s thuhet:

“Aleatët zotohen të investojnë 5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në bazë vjetore për nevoja thelbësore të mbrojtjes dhe për shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të garantuar përmbushjen e detyrimeve tona individuale dhe kolektive”.

Në deklaratën e NATO-s u tha se rritja e shpenzimeve për mbrojtje do të sigurojë që aleanca të ketë forca, aftësi, burime, infrastrukturë, përgatitje luftarake dhe qëndrueshmërinë e nevojshme “për penguar dhe mbrojtur në bazë të tri detyrave kryesore: parandalimin dhe mbrojtjen, parandalimin dhe menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin në siguri”.

Spanja veçse ka njoftuar se nuk mund ta përmbushë këtë synim, teksa edhe shtete të tjera kanë shprehur rezerva, por zotimi për investime përfshin rishqyrtimin e shpenzimeve më 2029, monitorimin e përparimit dhe rivlerësimin e kërcënimit të sigurisë që paraqet Rusia.

Para samitit në Hagë, presidenti amerikan Trump, vuri në pikëpyetje sërish përkushtimin e vendit të tij për t’i mbrojtur aleatët e vet në rast se ata sulmohen.

Ashtu siç bëri edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump la të kuptohej se mbështetja e tij do të varej nga ajo nëse aleatët e SHBA-së shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

Por, shefi i NATO-s, Mark Rutte, pas samitit tha se politikanët në Evropë dhe Kanada “nuk duhet të brengosen lidhur me përkushtimin e SHBA-së ndaj nenit 5 të NATO-s, përkatësisht mbrojtjes kolektive.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se vendimi i NATO-s për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje është sinjal për fuqinë e aleancës dhe për unitetin.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se qëllimi i ri për shpenzime është i përballueshëm për shtetin e saj dhe u jep shteteve “fleksibilitet” se si të arrijnë në 5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm. Gjatë prononcimit pas përfundimit të samitit, Meloni tha se asnjë euro nga prioritetet e tjera buxhetore për të financuar rritjen e planifikuar të shpenzimeve për mbrojtjen.

Në margjinat e samitit të NATO-s, Trump ka zhvilluar një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zelensky tha se takimi ishte “i gjatë dhe përmbajtësor”, duke shtuar se me presidentin amerikan bisedoi për arritjen e një armëpushimi në luftën me Rusinë.

“Ne folëm për të gjitha çështjet e rëndësishme. E falënderova presidentin Trump dhe SHBA-në”, shkroi ai në X, pas takimit 50-minutësh.

“Ne biseduam për arritjen e një armëpushimi dhe një paqeje të vërtetë. Folëm se si të mbrojmë njerëzit tanë”, shtoi ai.

Por, Trump tha gjatë një konference për media se me Zelenskyn nuk ka biseduar për një armëpushim. Ai shtoi se do të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me përfundimin e luftës.

Sa i përket mbështetjes për Ukrainën – që po përballet me luftën e nisur nga Rusia më 2022 – kryeministri brtianik, Keir Starmer, tha se mbështetja e NATO-s për Ukrainën mbetet e pandryshuar, përkundër faktit që në deklaratën përfundimtare të samitit, lufta Rusi-Ukrainë u përmend shkurt.

“Sa i përket Ukrainës, qëndrimi i NATO-s nuk ka ndryshuar”, u tha Starmer gazetarëve. “Ndërsa punojmë për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, nuk do ta humbasim as edhe për një moment fokusin te Ukraina”.

Më 2026, samiti i NATO-s do të mbahet në Turqi dhe një vit më vonë në Shqipëri.

(Radio Evropa e Lirë) 

Comment

*