Çfarë thuhet për Kosovën në draftin e Ligjit mbi Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare në SHBA?

Uashington, 8 dhjetor 2025 – Ligji mbi Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare në SHBA (National Defense Authorization Act – NDAA) për vitin 2026, i cili është miratuar nga Senati, pritet të miratohet së shpejti edhe nga Kongresi.

Njëri ndër promotorët e interesave nacionale të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faton Bislimi, ka njoftuar se në draftin e ligjit NDAA 2026 është përfshirë edhe një seksion që kodifikon politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj Kosovës.

“Në tekstin e draft ligjit NDAA të publikuar para pak orëve (mbi 3000 faqe), që përcaktojnë thuajse gjithçka që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të SHBA-ve – që nga pajisjet ushtarake e prokurimi i tyre, pagat e ushtarëve, e deri tek strategjitë mbrojtëse e buxheti i mbrojtjes – është përfshirë edhe një seksion që kodifikon me ligj politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Sipas tij, në draftligjin NDAA 2026 thuhet:

– SHBA-të i përkrahin Kosovën dhe vendet tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE;

– SHBA-të e përkrahin dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke;

– SHBA-të nuk përkrahin ndryshime kufijsh, ndarje apo shkëmbime territoresh sipas vijave etnike për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve në Ballkan!

Bislimi e ka cilësuar këtë si fryt të punës së madhe të shumë organizatave të komunitetit shqiptar në SHBA.

“Jam më shumë se krenar të shoh që mundi i shumë organizatave të komunitetit tonë në SHBA dhe përpjekjet tona të pareshtura për të ndihmuar Kosovën po japin rezultate çdo ditë e më shumë”, ka shkruar ai.

“Sot më shumë se kurrë, angazhimi im vazhdon edhe më fuqishëm, bashkë me miq e dashamirë në DC e kudo në Amerikë për ta bërë Kosovën ashtu siç kanë ëndërruar shumë gjenerata para nesh…”, ka theksuar Bislimi

Postimi i plotë i Faton Bislimit:

Qëndrimet e Amerikës me interes për Kosovë të Kodifikuara me Ligjin NDAA 2026!

Një ndër ligjet më të rëndësishme në SHBA është NDAA – National Defense Authorization Act (Ligji mbi Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare) që është në fazën finale të aprovimit nga Kongresi i SHBA, pasi që ka marrë dritën jeshile të Senatit, dhe pas aprovimit edhe nga Dhoma e Përfaqësuesëve, NDAA për vitin fiskal 2026 do jetë në tavolinën e Zyrës Ovale për dekretim nga Presidneti Trump.

Në tekstin e draft ligjit NDAA të publikuar para pak orëve (mbi 3000 faqe), që përcaktojnë thuajse gjithëçka që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të SHBA-ve — që nga pajisjet ushtarake e prokurimi i tyre, pagat e ushtarëve, e deri tek strategjitë mbrojtëse e buxheti i mbrojtjes — është përfshirë edhe një seksion që kodifikon me ligj politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

Jam i lumtur të ndaj me ju vetëm një pjesë të vogël, por vlerëmadhe të Ligjit në fjalë – sipas NDAA 2026:

– SHBA-të përkrahin Kosovën dhe vendet tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE;

– SHBA-të përkrahin dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke;

– SHBA-të nuk përkrahin ndryshim kufijsh, ndarje, apo shkëmbim territoresh sipas vijave etnike për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve në Ballkan!

Ky është një lajm fantastik!

Jam më shumë se krenar të shoh që mundi i shumë organizatave të komunitetit tonë në SHBA dhe përpjekjet tona të parreshtura për të ndihmuar Kosovën po japin rezultate çdo ditë e më shumë.

Kosova asnjë s’ka humbë krah Amerikës.

Sot më shumë se kurrë, angazhimi im vazhdon edhe më fuqishëm, bashkë me miq e dashamirë në DC e kudo në Amerikë për ta bërë Kosovën ashtu siç kanë ëndërruar shumë gjenerata para nesh – të fuqishme, demokratike, të zhvilluar, e në miqësi permanente me SHBA-të. Kosova mbi të gjitha – Kosova e Para!

(r.m.)