Ndahet nga jeta gazetari i njohur shqiptar Artur Zheji

Tiranë, 23 gusht 2025 – Artur Zheji, gazetar i njohur shqiptar, është ndarë nga jeta papritur, të shtunën, në moshën 63 vjeçare.

Policia bëri të ditur se rreth orës 16:00, në një restorant në afërsi të rrugës “Butrinti”, në Sarandë, Zheji ka ndjerë papritur shqetësime shëndetësore dhe ka ndërruar jetë në autoambulancë, gjatë transportimit në spital.

“Sot, rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës “Butrinti”, shtetasi A. Zh., 63 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mediet në Tiranë raportojnë se Zheji kishte pësuar një arrest kardiak në një restorant, ku po drekonte bashkë me bashkëshorten dhe me djalin. Ai është transportuar me urgjencë për në spitalin “Petro Nako” në Sarandë, por atje ka arritur pa shenja jete.

Artur Zheji ishte një ndër figurat më të spikatura të medias dhe të opinionit publik në Shqipëri.  Ai poti karrierë të gjatë si gazetar e pedagog i gazetarisë. Njihej për stilin kritik dhe për analiza të thella politike.

Gjatë karrierës së tij, ai ishte drejtor i disa mediave të rëndësishme në Shqipëri, përfshirë transmetuesin publik – Radiotelevizionin Shqiptar.

Zheji ka lënë gjurmë edhe në fushën akademike. Ai ka bërë përkthimin e disa veprave letrare e filozofike.

Ndarje e hershme e tij nga jeta u prit me pikëllim në qarqet e jetës publike.

(r.m.)