Ndahet nga jeta gjuhëtari i njohur Bahri Beci

Tiranë, 21 gusht 2023 – Gjuhëtari i njohur shqiptar Bahri Beci është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare.

Lajmi është kumtuar nga djali i tij, Benet Beci, dhe nga Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Beci, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare, historike e bashkëkohore, për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike”, thuhet në njoftimin e Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ditën e martë, prej orës 9:00 deri në orën11:30, do të mbahen homazhe në Akademinë e Shkencave, në Tiranë. Funerali do të niset për në varrezat e Sharrës, do të niset nga Akademia, në orën 12:00.

Bahri Beci lindi në Shkodër në vitin 1936. Shkollën fillore dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e lindjes. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Tiranë më 1958, ndërsa studimet pasuniversitare në Institutin e Fonetikës dhe të Gjuhësisë së Zbatuar në Paris (1975-77). Më 1979 në Tiranë mori gradën shkencore “kandidat i shkencave”, ndërsa më 1977 në Paris e mori gradën doktor i shkencave, me tezën “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës”. Sërish në Tiranë, më 1984, e mbrojti tezën e doktoratës “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës”.

Qysh nga fillimet punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të letërsisë në Tiranë, si bashkëpunëtor i vjetër shkencor, e më vonë si profesor. Në vitet 1974-1975 ishte sekretar shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kryeredaktor i revistës “Studime filologjike” (1984-1993), sekretar i revistës “Studia albanica” (1993-1997), shef i Sektorit të Gramatikës dhe të Historisë së Gjuhës në Institutin e Gjuhësisë (1993-1997) dhe drejtor i këtij instituti (1993-1997). Nga viti 1997 punoi si pedagog i shqipes në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe të Kulturave Orientale të Parisit (INALCO).

Dy vjet ishte bashkëdrejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që u mbajt në Tiranë në vitet e shtypjes së egër serbe në Kosovë (1995 e 1996).

Bahri Beci ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Studimet e tij shtrihen në fushat e dialektologjisë, të fonetikës, të historisë së gjuhës dhe të gramatikës së shqipes. Në fushën e dialektologjisë është marrë me përshkrimin e shumë të folmeve të shqipes qendrore dhe të veriut (të Matit, të Dibrës, të Shkodrës), por njëherësh është marrë dhe me strukturën dialektore të gjuhës shqipe, me nyjëtimin e varieteteve dialektore dhe me historinë dialektore, me historinë e formimit të dialekteve të shqipes, duke i parë ato dhe në kontekstin ballkanik.

Paralelisht me këto studime, shpesh në kuadër të këtyre shqyrtimeve, është marrë me studimet fonetike, me ndihmesa në fushën e fonetikës eksperimentale për të folmen e Shkodrës, po edhe për çështje të shqipes standarde. Është marrë dhe me historinë e shqipes standarde, sidomos pas viteve ’90 të sh. XX.

Ndër veprat e tij veçohen: “Të folmet veriperëndimore të gjuhës shqipe dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës” (Tiranë, 1995), “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri” (Pejë, 2000), “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre” (Tiranë, 2002), “Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike” (Pejë, 2002), “Fonetika e gjuhës shqipe” (Tiranë 1997), “Gegërishtja qendrore dhe grupimi i të folmeve të saj” (Tiranë, 2007), “Historia e standardizimit të shqipes” (Tiranë, 2010) dhe “Struktura dialektore e shqipes” (2016).  Ai është bashkautor i “Atlasit dialektologjik të shqipes” I-II (Napoli 2007).

Bahri Beci njihet dhe si hartues tekstesh shkollore për gramatikën e shqipes për të gjitha nivelet në sistemin shkollor në Kosovë dhe në Shqipëri, i një “Gramatike të gjuhës shqipe për të gjithë” (Shkodër 2000), i “Gramatikës së gjuhës shqipe për mësuesit” (Tiranë, 1997), etj.

Bahri Beci është edhe ator i dy librave mbi probleme më të gjera shoqërore: “Një libër që nuk do të doja ta shkruaja” (2013) dhe “‘Homo ideologjikus’ në shkencën shqiptare” (Tiranë, 2015), në të cilët shtjellon zhvillimet në kontekstin shoqëror shqiptar në fushën e studimeve të gjuhës dhe të albanologjisë në përgjithësi.

 (r.m.)