Prishtinë, 1 shtator 2026 – Historiani, gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Dr. Daut Dauti, ka është ndarë nga jeta të martën heret në mëngjes, në Londër.
Lajmin e ka publikuar kushëriri e miku i tij, Ismet Azizi.
“Në orët e hershme të mëngjesit ndërroi jetë kushëriri im i dashur, miku dhe bashkëpunëtori im shumëvjeçar, historiani, gazetari dhe studiuesi Dr. Daut Dauti”, ka shkruar Azizi në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se Dauti ka luftuar nga një sëmundjeje të rëndë prej rreth dy vjetësh.
“E dija se prej rreth dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme. E dija se po trajtohej në një nga spitalet më të njohura në Londër dhe se mjekësia po bënte gjithçka që ishte e mundur. Por, megjithatë, njeriu deri në fund shpreson. Sot ajo shpresë u shua”, shkruan ai.
Azizi e ka cilësuar si “humbje e madhe për jetën intelektuale shqiptare” ndarjen nga jeta të Dautit.
Ai e ka publikuar edhe një biografi të përmbledhur të Dr Daut Dautit.
“Daut Dauti u lind në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në Prishtinë, ndërsa gjimnazin në Gjilan. Studioi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe më pas vazhdoi studimet pasuniversitare në Londër, në Thames Valley University.
Që herët iu përkushtua gazetarisë. Shkrimet e para i botoi në “Bota e Re”, më pas në revistën “Zëri”, ku nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent nga Londra.
Në vitet e luftës dhe të pasluftës, Dauti ishte një nga zërat e rëndësishëm shqiptarë në Britani të Madhe. Punoi në Institute for War and Peace Reporting – IËPR, ku kontribuoi edhe në themelimin e zyrës së këtij instituti në Prishtinë.
Ishte Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, studiues në Kettering Foundation në SHBA, këshilltar për media dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, si dhe bashkëpunëtor i institucioneve të ndryshme ndërkombëtare.
Por, pasioni i tij i madh mbeti historia. Në University of Leeds, në Shkollën e Historisë, ai u mor me një nga temat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – politikën e jashtme britanike dhe çështjen shqiptare.
Disertacioni i tij “The British Foreign Policy and the Albanian Question 1876–1914” ishte rezultat i shumë viteve punë në arkivat britanike dhe përfaqëson një kontribut me vlerë të veçantë për historiografinë shqiptare.
Nga kjo punë kërkimore dolën edhe studime e libra të rëndësishëm, ndër të cilët veçoj veprën “Çështja shqiptare në diplomacinë britanike, 1877–1880”, një libër që solli dokumente dhe interpretime të rëndësishme për periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për mënyrën se si Fuqitë e Mëdha e shihnin çështjen shqiptare.
Dauti ishte autor edhe i librave “Reflektime Shqiptaro-Britanike”, “Lufta për Trepçën”, “Unioni Evropian – Nga Ideja në Realitet”, si dhe i shumë studimeve, artikujve dhe analizave të botuara në Kosovë dhe jashtë saj.
Nuk kënaqej me përsëritjen e asaj që ishte thënë më parë. Kërkonte burimin, arkivin, dëshminë. Për historinë shqiptare, sidomos për marrëdhëniet shqiptaro-britanike dhe diplomacinë evropiane të shekullit XIX, ai la pas një punë që do të mbetet referencë edhe për brezat e ardhshëm të studiuesve”, shkruan Azizi.
Ai thekson lidhjen shpirtërore të Dautit me vendindjen e tij, Kokajn.
“Edhe pse jetoi gjatë në Londër, edhe pse rrugët profesionale e çuan në shumë vende të botës, mendja dhe zemra e tij ktheheshin vazhdimisht te vendlindja. Këtë vit, sikur ta kishte ndier se koha po bëhej gjithnjë e më e çmuar, e botoi librin ‘Nëpër gjethe kujtimesh’. Në kopertinën e këtij libri është shtëpia e tij e lindjes. Nuk besoj se mund të gjendet simbolikë më e fuqishme”, hkruan Ismet Azizi.
(r.m.)