Prishtinë, 15 shtator 2026 – Flora Brovina, humaniste, poete e aktiviste politike, është ndarë nga jeta të martën, në moshën 76 vjeçare.
Flora Brovina u lind në Skenderaj më 1949. U rrit në Prishtinë, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Studimet për mjekësi dhe specializimin për pediatri i mbaroi në Zagreb. Pas përfundimit të studimeve, ajo u kthye në Kosovë dhe punoi si mjeke pediatre në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Krahas mjekësisë, Brovina u mor edhe me letërsi. Në poezitë e saj, të përmbledhura në vëllimet poetike “Përflakje e Stuhi”, “Bima ime e kuqe” dhe “Udhëkryqi”, dominojnë temat me interes jetik për popullin shqiptar në Kosovë: identiteti dhe liria.
Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Flora Brovina ishte një nga figurat kryesore të organizimit të ndihmës për civilët dhe viktimat e dhunës. Ajo e themeloi dhe drejtoi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, e cila ofronte ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës seksuale dhe të të drejtave të njeriut.
Në vitin 1999, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, Brovina u arrestua nga autoritetet serbe dhe u dënua me 12 vjet burgim për “aktivitet terrorist”. Më 1 nëntor 2000 u lirua nga burgu, falë reagimeve të fuqishme të Parlamentit Evropian, organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, organizatave ndërkombëtare humanitare, PEN qendrave të disa vendeve perëndimore, etj.
Pas lirimit nga burgu, Flora Brovina u mor aktivisht me politikë. Ajo ishte anëtare e Këshillit Drejtues dhe anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike në Kosovë (PDK). Ishte deputete e Kuvenditt ë Kosovës në tri legjislatura, e zgjedhur në zgjedhjet e viteve 2004, 2007 dhe 2010.
Flora Brovina u nderua me disa çmime e mirënjohje për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut dhe në veprimtari humanitare. U nderua edhe me çmime për veprën e saj letrare.
Vitet e fundit i kaloi larg jetës publike.
***
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova sot e humbi gruan që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të vet.
“Mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, ajo u gjend pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën. Organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës. Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq”, ka shkruar Haxhiu.
“Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentes e ka vlerësuar Flora Brovinën edhe si poete.
“Në vargjet që shkroi, gruaja, fëmija, dhimbja, lindja, humbja dhe liria morën formën e përvojave të jetuara. Poezia e saj kishte butësinë e mjekes, ndjeshmërinë e gruas dhe qëndresën e njeriut që kishte kaluar nëpër sfida të rënda”, ka thënë Haxhiu.
Edhe Kryeministri Albin Kurti i ka vlerësuar kontributet e Flora Brovinës si mjeke, humaniste, shkrimtare e aktiviste politike.
“Një jetë e tërë njerëzore e shkuar nën aktivizëm, u shua sot. Flora Brovina, vdiq në moshën 76-vjeçare duke lënë pas mes të gjallëve një trashëgimi të gjatë dhe të ngjeshur me përpjekje dhe angazhime humanitare edhe politike”, ka shkruar Kurti në një dedikim të gjatë për Flora Brovinën.
Ai ka sjellë në kujtesë se, në vitin 1992, Flora Brovina e kishte themeluar organizatën Lidhja e Gruas Shqiptare, e cila ofroi strehim, kujdes shëndetësore e ndihma humanitare për gratë në pamundësi. Po ashtu, ka sjellë në kujtesë se më 20 prill të vitit 1999, Flora Brovina ishte arrestuar nga policia serbe dhe ishte transferuar bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë në Serbi, ku ishte dënuar me 12 vite burgim.
“Flora Brovina, do të kujtohet nga populli i Kosovës dhe do të njihet nga historia e vendit tonë për angazhimin e saj publik dhe veprën e saj kulturore, humanitare, aktiviste dhe politike”, ka theksuar Kurti.
(r.m.)