Prishtinë, 1 janar 2026 – Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës njoftoi se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Akademik Nexhat Daci, ka ndërruar jetë sot, më 1 janar 2026, në moshën 81-vjeçare.
Daci ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga viti 2001 deri në vitin 2011. Në dy mandate, në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006, ai ka qenë edhe Kryetar i Kuvendit. Në vitin 2006, pas vdekjes së Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, rreth një muaj ka qenë ushtrues i detyrës së Presidentit.
Akademik Nexhat Daci ka qenë anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës prej vitit 1996. Ai ka qenë kryetar i Akademisë në dy mandate, 1999-2004 dhe 2018-2019.
Deri në pension, ka qenë profesor në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, degën e Kimisë.
Nexhat Daci lindi më 26 korrik 1944 në Tërnoc të komunës së Bujanocit, ku e mbaroi edhe shkollimin fillor, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Leskoc. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1962-1966), ku u diplomua në degën e kimisë. Studimet pasuniversitare i kreu në po këtë universitet, më 1968. Gradën e doktorit të shkencave e mori në Universitetin e Zagrebit, më 1973, kurse studimet pasdoktorale i vazhdoi në Universitetin e Bradfordit, në Britani të Madhe, në vitin 1974.
Daci autoritet në fushën e kimisë. Ai ka qenë autor dhe bashkautor i shumë trajtesas, hulumtimesh e sdudimesh shkencore të publikuara në revista e publikime të ndryshme shkencore ndërkombëtare. Ai ka marrë pjesë në shumë tubime dhe konferenca shkencore të organizuara në Kosovë, si edhe në konferenca ndërkombëtare, si në SHBA, Britani, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, etj.
Nexhat Daci ishte anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimistëve dhe anëtar i Akademisë Europiane për Mjedisin me seli në Tybingen të Gjermanisë.
(r.m.)