Prishtinë, 15 maj 2026 – Prof. Dr Alush Gashi është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare.
Lajmin e ka publikuar djali i tij, Anil Gashi, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
“Të dashur miq, me dhimbje të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, Alush Gashi. Familja, të afërmit dhe miqtë do ta kujtojnë gjithmonë me dashuri, respekt dhe mirënjohje për jetën, veprën dhe kujtimet që la pas. Për detajet rreth ceremonisë do të njoftoheni me kohë”, ka shkruar ai.
Gashi ka lindur më 4 tetor 1950 në fshatin Prigodë të Komunës së Istogut. Studimet themelore për mjekësi i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, më 1974, ndërsa doktoraturën e ka mbriojtur në Universitetin e Zagrebit, më 1979. Ai ka qenë pedagog në Fakultetin e Mjeksësisë të Universitetit të Prishtinë. Një mandat ka qenë edhe dekan i këtij fakulteti.
Prej themelimit të LDK-së ka mbajtur pozita të rëndësishme në këtë parti. Ai ka qenë anëtar i kryesisë dhe sekretar për marrëdhëniet me jashtë i LDK-së. Ka qenë edhe këshilltar politik i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Pas çlirimit, Alush Gashi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura. Një mandat qeverisës ka qenë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës.
Gashi ka qenë aktiv në jetën politike të Kosovës deri në çastin e fundit të jetës. Vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtor i afërt i kryetarit të LDK-së, Lumir Abddixhiku. Pak kohë më parë ai është zgjedhur përsëri anëtar i kryesisë së kësaj partie.
Prof. Dr Alush Gashi ka mbajtur lidhje të ngushta me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa nga vështrimet e tij mbi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe për kontributet e këtij komuniteti për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës i ka publikuar edhe në gazetën “Illyria”, lexues i së cilës ka qenë që prej themelimit të saj.
(r.m.)