Nderim për skulptorin Luan Mulliqi

Nga Qerim Vrioni

Këto ditët e fundit u nda nga jeta në Amerikë skulptori i njohur nga Prishtina, Luan Mulliqi (Gjakovë, 1953).  Ai kishte kryer studime për skulpturë, fillimisht në vitin 1977 në Akademinë e Arteve në Prishtinë, mandej thelluar ato më 1978 në Akademinë e Arteve të Beogradit. Ka hapur disa ekspozita vetjake dhe ka marrë pjesë në disa të tjera kolektive në Kosovë dhe jashtë saj. Luan Mulliqi ka lënë shumë vepra të goditura skulpturore, nëpër galeri, muze arti dhe sheshe e mjedise publike në të dy anët e Drinit, por edhe më gjerë. Përmendim ndër to vetëm “Shtatoren e Nënë Terezës” që “pret dhe përcjell” jo vetëm shqiptarë në Qafën e Thanës.

     Po ashtu, vepra skulpturore të Luanit u janë dhuruar figurave të tilla botërore si Papa Gjon Pali II, Bill Clinton, Mbretëresha Elisabeth II, Sekretarja amerikane Albright, Princesha Diana, presidenti turk Sulejman Demirel etj. Me rëndësi në krijimtarinë e Luan Mulliqit, mbetet edhe fryma moderniste që futi në skulpturën shqiptare. Ai ishte gjithashtu Anëtar i Shoqatës së Artistëve të UNESCO-s. Për disa vite, ai ka kryer me sukses edhe detyrën e drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës.

     Sëmundjen e tij e dija prej 2-3 javësh, kur kërkesës time për t’u lidhur me të iu përgjigj nga Prishtina i biri, Drini, duke më shkruar së i ati është i sëmurë, u hidhërova nga lajmi. Vetëm, se nuk besoja që do ikte kaq shpejt, kjo më habiti dhe pikëlloi mjaft.

     Në arkivin tim fotografik, këtu ku ndodhem, gjeta vetëm një foto me Luanin, që po e bashkëngjis.  Ajo foto daton shtator 2008, gjatë shpalljes së fituesit të “Çmimit Gjon Mili” të konkursit ndërkombëtar vjetor të fotografisë me të njëjtin emër të Galerisë së Arteve të Kosovës. Më poshtë një historik i shkurtër për këtë foto, me shumë gjasë e shkrepur nga fotografi i Galerisë, Enver Bylykbashi, të cilit i jam mirënjohës.

  Nga fundi i gushtit 2008 më erdhi në Tiranë, një email nga drejtori i GAK Prishtinë, skulptori  i dëgjuar Luan Mulliqi. Në email njoftohesha se isha zgjedhur si studiues i fotografisë nga drejtoria e Galerisë, anëtar në jurinë e konkursit “çmimi Gjon Mili”. Aty shpjegohej dhe mënyra si duhet të udhëtoja për në Prishtinë me avion, pritja në aeroport, akomodimi në “Hotel Grand” etj. I u përgjigja pozitivisht ftesës, duke e falenderuar dhe në datën e caktuar mbërrita në aeroportin e kryeqytetit të Kosovës, ku më priste një shofer taksie me një tabelë me emrin tim, me makinën e të cilit arrita në hotel, ku më ishte rezervuar dhoma. Në hollin e hotelit më priti Luani.

    Mandej, shkuam në GAK, ku takuam poetin dhe piktorin e dëgjuar Rexhep Ferri dhe sekretaren Liri Bulqi e pas bisedave të rastit, shkuam të tre për kafe si miq të vjetër. Aty, ndër të tjera, Luani më njoftoi edhe emrat e antarëve të tjerë të jurisë së konkursit; kineasti dhe fotografi i njohur Afrim Spahiu, dhe  një studiuese hungareze e fotografisë.

     Gjatë 2-3 ditëve të qëndrimit tim në Prishtinë, u takuam edhe disa herë me Rexhep Ferrin e bashkë të tre konsumuam disa orë në lokale të ndryshme, natyrisht shoqëruar me biseda të gjalla për artet, skulpturën, pikturën, fotografinë dhe poezinë, fushat kryesore që lëvronim ne. Në datën e caktuar më herët, u hap ekspozita-konkurs “Çmimi Gjon Mili”, me mjaft foto të arrira, nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Ajo u vizitua me mjaftë kërshëri nga dashamirë të shumtë të fotografisë dhe pati jehonë në mediat e Prishtinës dhe të Tiranës.

     Një mbrëmje para hapjes së ekspozitës, u takuam me drejtor Luanin, i cili  pasi na përgëzoi për detyrën e caktuar dhe seriozitetin në trajtimin e fotove, e mbylli kur foli shkurt : “Tani është rradha juaj-na tha Luani të treve të jurisë-vendosni e ta shpallim fituesin”. Ndërkohë i kishim shikuar e rishikuar disa herë fotot konkuruese në ekspozitë e mbajtur shënime. Njoftimi i fituesit po pritej me hamendje dhe diskutime të ndryshme nga dashamirët e fotografisë dhe vetë fotografët pjesëmarrës në konkurs. Pas pak diskutimesh midis tre anëtarëve të jurisë, e kishim vendosur njëzëri që “Çmimi Gjon Mili 2008” t’i jepej fotos “Fëmijët e Krushës” të fotografes shqiptare nga Maqedonia, Mimoza Veliu.

     Njoftimi i emrit të fitueses prej meje, si anëtari më i moshuar i jurisë, u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërkohë që Luani na përgëzoi të treve për kryerjen e detyrës së ngarkuar. Përzgjedhja si fituese të fotos “Fëmijët e Krushës” nga ana e jurisë atëherë, rezultoi e goditur, sepse fotoja prej atij viti përdoret shpesh në shtyp dhe media si simbol pamor i krimeve serbe ndaj popullsisë civile shqiptare.

   Bash, një çast nga shpallja e emrit të fituesit, ka përjetësuar fotoja, ku Luani duket pak i lodhur, por dhe i çliruar nga ankthi i përfundimit me sukses të veprimtarisë së njohur për fotografinë. Gjithsesi, edhe kjo foto do të më kujtojë përherë me nderim dhe mirënjohje figurën e ndritur të Luan Mulliqit.

     I paharruar kujtimi i tij !