Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” e merr nën kontroll një objekt buzë Liqenit të Ujmanit që përdorej nga strukturat ilegale serbe

Prishtinë, 20 maj 2025 – Zyrtarët e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci” të Kosovës kanë hyrë të martën në një një objekt pranë liqenit të Ujmanit, në pjesën veriore të vendit, e cila përdorej nga institucionet dhe strukturat ilegale të Serbisë. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka trerguar se policia ka ofruar asistencë për zyrtarët e kompanisë.

“Po, i kemi asistuar zyrtarët e ‘Ibër-Lepencit’ për të hyrë në një objekt te liqeni i Ujmanit”, ka thënë ai. 

Beogradi zyrtar dhe partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila kontrollohet nga Beogradi, kanë reaguar ashpër ndaj këtij veprimi të autoriteteve të Kosovës.

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka cilësuar këtë veprim si akt të “falangave të Kurtit”, siç e ka quajtur policinë e Kosovës.

“Një numër i madh i policëve hynë në objekt, ku kryen hetime dhe nuk lejuan askënd, as rojën, që t’i shoqërojë gjatë hetimeve, gjë që lë hapësirë për manipulime nga falangat e Kurtit”, ka thënë ai në një komunikatë për media.

Sipas tij, ky objekt përdorej “ekskluzivisht për trajnimin e fëmijëve dhe pjesëmarrësve në kurset e Kryqit të Kuq në fushën e ndihmës së parë dhe shpëtimit, për gara të ndryshme sportive, për trajnime dhe ligjërata, për akomodimin e turistëve dhe sportistëve që qëndronin në këtë pjesë të Kosovës”.

Lista Serbe ka thënë se objekti në liqenin e Gazivodës “i përket Kryqit të Kuq të Kosovës dhe Metohisë” dhe se mbyllja e tij “përbën një shkelje të rëndë të të gjitha konventave ndërkombëtare”.

 

Tri ditë më parë Kosovapress shkruante se ky objekt përdorej si “qendër për ndihmë dhe strehim të pjesëtarëve të Mbrojtja Civile”, e cila është shpallur organizatë terroriste nga autoritetet e Kosovës. Në shkrim kujtohej se kjo ndërtesë ishte inauguruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2018.

“Këtë objekt që dikur cilësohej si Qendër për ekologji dhe zhvillim të sportit e ka hapur me krenari presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij senzacionale, në vitin 2018. Por, prapa këtij emri të pafajshëm fshehe një realitet krejtësisht tjetër – pike vëzhgimi, depo armësh dhe bazë për aktivitete terrioriste”, shkruante Kosovapress.

“Ja, erdhëm te ky objekt i cili është financuar nga Republika e Serbisë, e cila i ka investuar 1.400.000 euro. Shpresoj se të rinjtë e komunës së Zubin Potokut do të dijnë ta shfrytëzojnë këtë objekt dhe, siç po shoh, do ta kërdorin edhe Enti Hisdrometeorologjik, Kryqi i Kuq…”, kishte deklaruar Vuçiq asokohe.

Marrja në kontroll e këtij objekti është pjesë e veprimeve të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele dhe stukrurave ilegale serbe në territorin e Kosovës.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoren nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.

Bashkimi Evropian reagoi duke vlerësuar se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri rrezikojnë ngritjen e tensioneve në terren dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

(r.m.)

Comment

*