Prishtinë, 23 gusht 2021 – Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se nga data 23 gusht kanë ndërprerë disa shërbime spitalore jourgjente në sallat kirurgjike.
“Operacionet e karakterit urgjent dhe emergjent, por edhe tumore do të vazhdojnë të kryhen”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Po ashtu, Krasniqi shtoi se numri i madh i pacientëve të konfirmuar me koronavirus që po trajtohen në spitale, ka bërë të ndërpriten edhe pushimet vjetore të stafit shëndetësor.
Ai tha se situata epidemiologjike në Kosovë është mjaft e rënduar.
“Ju kërkoj falje punëtorëve shëndetësorë që jemi detyruar të ndërpresim pushimet dhe ju kërkoj mirëkuptim edhe qytetarëve edhe pacientëve për këto reduktime në shërbime tjera, por kjo është situatë është e imponuar dhe jemi të shtrënguar të marrim kësi vendime”, tha Krasniqi.
Kosova nuk ka spital të veçantë ku trajtohen pacientët me COVID-19. Krasniqi shtoi se për këtë arsye po detyrohen të marrin shtretër të pacientëve tjerë për të hospitalizuar pacientët nga COVID-19.
Sipas raportit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës të datës 23 gusht, 723 pacientë të konfirmuar me koronavirus janë të shtrirë në spitalet e përgjithshme në Kosovë, si dhe në klinikat për trajtim të koronavirusit. Prej tyre 688 janë me oksigjeno-terapi dhe 35 në gjendje të rënduar shëndetësore.
Për një javë, 42 të vdekur dhe mbi 13 mijë të infektuar
Gjatë javës që shkoi, pothuajse çdo ditë është shënuar rekord i rasteve të reja me koronavirus.
Vetëm brenda një jave, Kosova ka regjistruar 42 vdekje nga koronavirusi dhe 13.062 raste të reja.
Gati të gjitha rastet e reja, ashtu siç është raportuar nga autoritetet shëndetësore, janë të variantit Delta, që është variant më ngjitës se varianti fillestar i koronavirusit.
Më 20 gusht në Kosovë kanë nisur së zbatuari masat e reja për luftim të pandemisë.
Ahengjet dhe dasmat janë anuluar, është zvogëluar orari i bizneseve të gastronomisë, si dhe është shtuar kërkesa për dëshmi të vaksinimit për të fituar qasje në një mori aktivitetesh.
Të gjithë punëtorët e bizneseve të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejt me klientët duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë test negativ.
Po ashtu, është ndaluar hyja pa maskë në ambientet e mbyllura si dhe në transportin publik.
Autoritetet shëndetësore ndërkohë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër COVID -19, siç është bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës.
Policia e Kosovës vazhdon të jetë aktive në realizim dhe zbatimin e këtyre masave.
Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka shqiptuar gjoba ndaj 552 qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Në anën tjetër, imunizimi i qytetarëve kundër COVID-19 po vazhdon të bëhet në 30 komuna me mbi 300 ekipe të vaksinimit.
Deri më 23 gusht, Kosova ka administruar mbi 714 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë mbi 239 mijë persona.
(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)