Prishtinë, 5 mars 2026 – Senca e Kuvendit të Kosovës, e thirrur me urgjencë për të miratuar ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Ptresidentit të Republikës me votë të drejtëpërdrejtë të qytetarëve, u ndërpre për shkak të mungesë së kuorumit për votim të vlefshëm.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, paralajmëroi vazhdimin e seancës pas orës 22:00.
Seanca u ndërpre për shkak të mungesës të së paku dy të tretat e deputetëve të komuniteteve joshumicë, pasi në seancë nuk morën pjesë 9 deputetët e Listës Serbe.
Sipas Kushtetutës në fuqi, ndryshimet kushtetuese miratohen me shumicë të dyfishtë – me votat e dy të tretave të deputetëve të përbërjes së kuvendit dhe me votat e dy të tretave të deputetëve të grupe etnike joshumicë.
Para verifikimit të kuorumit për votim, subjektet politike shprehën qëndrimet e tyre për amendamentet që iu dërguan Kuvendit për miratim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Lëvizja Vetëvendosje u deklaruar për miratimin e amendamenteve. Po ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe grupi parlamentar i komuniteteve joshumicë joserb, ndërsa kundër miratimit të tyre u deklarua Partia Demokratike e Kosovës.
Kundër amendamentimit të Kushtetutës u deklarua edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndonëse deputetët e saj nuk morën pjesë në seancë.
Amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve ishin hartuar nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011 dhe e kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Ato u proceduan për miratim në Kuvend nga Presidentja Vjosa Osmani me urgjencë, për shkak të bllokimit të procesit të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm nga Kuvendi i Kosovës. Ky proces u bllokua pasi tri partitë kryesore – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhje Demokratike e Kosovës – nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e një kandidati me konsensus.
Lëvizja Vetëvendosje, të mërkurën në mbrëmje, e propozoi nënkryetarin e saj, Glauk Konjufcën, për pozitën e Presidentit. PDK-ja dhe LDK-ja nuk pranuan të paraqesin kandidat, duke qenë se, sipas raportit të forcave në Kuvend, numrin e nevojshëm të votave – së paku 61 vota në votimin e tretë – mund t’i fitojë vetëm kandidati që e ka mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit bëhet me votim të fshehtë, midis së paku dy kandidatëve, prandaj nuk ishin krijuar kushtet për thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së ardhshme të Kosovës skadon sonte, më 5 mars 2026, në orën 23 e 59 minuta. Në qoftë se deri në këtë orë nuk fillon procedura për zgjedhjen e presidentit, Kosova shkon në zgjedhje të reja.
(r.m.)