Prishtinë, 11 shtator 2026 – Seanca konstutuive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre edhe një herë të premten, pas rrëzimit të kandidates së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, për nënkryetare të Kuvendit.
Vazhdimi i seancës nisi me mospajtime lidhur me formën e votimit të nënkryetarëve. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se në takimin që kishte zhvilluar me përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare nuk ishte arritur pajtim për votim në pako për të pesë nënkryetarët.
“Kisha konsultim të shkurtër me përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Duke qenë se nuk ka një dakordim për votim në pako, atëherë forma e vetme është që të votohen veç e veç. Për votim veç e veç ishin dakord të gjitha grupet parlamentare. Prandaj duhet të vazhdojmë me votimin veç e veç” për nënkryetarët, tha Haxhiu.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kërkoi që votimi për nënkryetarë të bëhet veç e veç, pasi nuk ka pajtim për votim në pako.
Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkoi që të të bëhej votimi në pako, siç ishte praktikë tashmë, por nuk e përjashtoi as votimin veç e veç për sercilin kandidat. Por, ai paralajmëroi se PDK-ja nuk do të votojë nëse votimi për kryetarët shndërrohet, siç u shpreh, “në mjet bllokade”.
Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tha se grupi parlamentar i kësaj partie nuk e kundërshton votimin individual.
“Meqë nuk ka konsensus, ne jemi në përkrahje të votimit individual”, tha ajo.
Igor Simiq nga Lista Serbe tha se deputetët e kësaj partie do të votojnë në cilëndo formë, duke theksuar se pret votimin e kandidatit të tyre.
“Ne jemi për t’u votuar individualisht apo në pako. Ne presim që kandidati ynë të marrë votat e nevojshme dhe të vazhdojmë me punën sepse kemi përgjegjësi para qytetarëve”, tha ai.
Kryetarja e Kuvendit e hodhi në votim mënyrën e votimit dhe 71 deputetë votuan që për pesë nënkryetarët të votohet në mënyrë individuale. Prandaj, filloi votimi veç e veç për kandidatët.
Ardian Gola, kandidat i LVV-së i mori 100 vota dhe u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, por kandiatja e PDK-së, Vlora Çitaku, i mori vetëm 44 vota, sepse deputetët e LVV-së abstenuan nga votimi.
Haxhiu, kërkoi që PDK-ja të proponte sërish të njëjtën kandidate apo një kandidat tjetër për nënkryetar. Por deputetët e PDK-së refuzuan të propozojnë të njëjtën kandidate apo një kandidat tjetër dhe e braktisën seancën në shenjë proteste.
Para se të hidhej në votim emri i Golës, Lëvizja Vetëvendosje tha se do të mbështeste kandidatët e propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja, por është çështje e deputetëve se si do të votojnë.
PDK-ja dhe LDK-ja kërkuan garanci që LVV-ja ka vullnet për konstituimin e Kuvendit që do të thotë se do t’i votojnë kandidatët e propozuar të këtyre partive.
Mospajtimet për kandidatët e PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe ishin shfaqur në seancën e kaluar. Kryeparlamentraja Haxhiu dhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, bënë të ditur se deputetët e LVV-së nuk do të votojnë për kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë – Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, të cilët konsiderohen eksponentë të bllokimit të marrëveshjes së arritur mes LVV-së e LDK-së për zgjedhjen e President it të Kosovës.
Ndërkaq kandidati i Listës Serbe, Sllavko Simiq, u kontestua për shkak të mënyrës së propozimit, pasi deputeti Igor Simiq, me rastin e propozimit, e kishte përdorur togfjalëshin “në emër të popullit serb”, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me Rregulloren e punës së Kuvendit.
“Ky deklarim është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92 për qind janë shqiptarë, 4 për qind janë serbë dhe 4 për qind nga komunitetet tjera”, ka thënë Haxhiu në seancën e kaluar.
(r.m.)