Ndihmoni Vedat Gashin të fitojë vendin e Eliot Engelit në Kongresin Amerikan: Java e fundit e regjistrimit për të votuar

Ruben Avxhiu

Komuniteti ynë do të ketë mundësi të kthejë 23 gushtin në një datë historike duke e zgjedhur Vedat Gashin anëtar të Kongresit Amerikan.

Ndonëse në 23 gusht beteja është brenda Partisë Demokrate, Distrikti i 16 kongresional, në shtetin New York është thellësisht demokrat dhe fituesi i 23 gushtit do të jetë mesiguri kongresisti i zonës.

Shqiptaro-amerikani Vedat Gashi kandidon përballë kongresistit në fuqi, Jamaal Bowman, i cili ka mbështetje të madhe politike.

Mirëpo ka disa arsye se pse Gashi, aktualisht anëtar i rizgjedhur Bordit të Ligjvënësve të Westchester County, mund të dalë fitues.

Së pari, kongresisti Bowman është një Demokrat Socialist, tepër i majtë për distriktin që përfaqëson. Së dyti, kufijtë e distrikteve u ndryshuan këtë vit. Bowman tani ka një votues shumë më të larmishëm që mund të preferojë një përfaqësues të ekuilibruar si Vedat Gashi. Së treti, Bowman ishte një fitues i rastësishëm, në një kohë kur njerëzit donin ndryshim. Ai ia mori vendin kongresistit Eliot Engel që kishte 32 vjet në Kongres. Vota e ndryshimit ka shanse të jetë kthyer në një votë të pendimit. Bowman nuk ka treguar shumë profil të veçantë, duke vepruar më shumë si një kopje e zbehtë e koleges së tij, Alexandra Octavia Cortez. Edhe Gashi është progresist si ata, por ndryshon shumë në mënyrën si i trajton problemet dhe sidomos në vizionin për politikën e jashtme. Ndryshe nga e majta dhe e djathta ekstreme që nuk duan shumë angazhim amerikan në botë, Gashi vjen nga një pikë e globit ku ndërhyrja ushtarake amerikane shmangu katastrofën humanitare dhe solli paqen dhe stabilitetin pas 9 vitesh represion dhe luftë, nga Kosova.

Djalë emigrantësh shqiptarë ai është shembull i gjallë që ëndrra amerikane dhe premtimi i demokracisë kanë ende vlerë.

Vedat Gashi ka mbështetje të madh, por gara do të jetë e vështirë. Duhet vota e çdokujt. Por vetë Demokratët e zonës së tij mund të votojnë në 23 gusht.

Për të votuar për Gashin në zgjedhje paraprake Demokratike me 23 gusht, ju duhet të jeni të regjistruar me Partinë Demokratike dhe duhet të jeni banor Distriktit 16.

Nëse e gjeni emrin e vendbanimit tuaj këtu, regjistrohuni pa humbur kohë si Demokrat.

Mund të votoni për Gashin nëse banoni, apo mund të zhvendoseni në një nga këto zona, në Distriktin e 16 kongresional të New York-ut: Ardsley, Bronxville, Dobbs Ferry, Eastchester, Elmsford, Harrison, Hartsdale, Hastings On Hudson, Irvington, Larchmont, Mamaroneck, Mt. Vernon, Larchmont, New Rochelle, Pelham, Port Chester, Purchase, Rye, Rye Brook, Scarsdale, Tarrytown, Tuckahoe, West Harrison, White Plains, Yonkers, si dhe lagjen Wakefield në Bronx.

Kjo është java e fundit për t’u regjistruar. Afati i fundit është me 29 korrik.

Nëse nuk dini si të regjistroheni, i bëni një telefon zyrës, në numrin 914 439-9672 (Dardan Gjonbalaj) dhe vijnë e ju regjistrojnë në shtëpi.

Mund të regjistroheni edhe vetë, online, në internet, duke plotësuar formularin në adresën e mëposhtme:

https://voterreg.dmv.ny.gov/motorvoter/

Ndihmojeni Vedat Gashin që ta marrim mbrapsh vendin e Eliot Engelit në Kongresin Amerikan.

Regjistrohuni! Regjistroni familjarët tuaj! Lutini miqtë dhe fqinjët që të regjistrohen edhe ata.

Çdo votë ka rëndësi.