Ndikimi i gjyqit ndaj ish presidentit Trump në fushatat elektorale të dy kandidatëve

Uashington, 30 maj 2024 – Juria në gjyqin penal kundër ish-presidentit Trump është tërhequr për të marrë një vendim nëse ai është ose jo fajtor mbi akuzat për manipulim të të dhënave të biznesit. Zoti Trump akuzohet se regjistroi në mënyrë të paligjshme, si shpenzime ligjore një pagesë, bërë ish-yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, për të siguruar heshtjen e saj mbi një marrëdhënieve të dyshuar seksuale që ajo thotë se ka patur me të. Sipas aktakuzës kjo gjë u bë me synimin për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016, kur zoti Trump kandidonte për president. Ndërkohë siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns, ambjentet jashtë gjykatës së Nju Jorkut, u shndërruan në skenë aktivitetesh elektorale në kuadër të fushatës presidenciale.

Gjatë pjesës më të madhe të gjashtë javëve të fundit, Donald Trump është ankuar se akuzat ndaj tij janë politike.

“Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë në historinë e vendit tonë. Ky është një manipulim, një ndërhyrje në zgjedhje e një niveli që nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha ai.

Zyrtarët e fushatës së Presidentit Joe Biden kanë zgjedhur kryesisht të mos komentojnë rreth gjyqit të kundërshtarit të tij politik. Deri këtë javë…përpara një paraqitjeje jashtë dyerve të gjykatës në Nju Jork, si pjesë e fushatës së zotit Biden, të aktorit Robert De Niro.

“Kur Trump kandidoi në vitin 2016 u duk si një shaka. U tha se nuk do të ndodhte kurrë që ky kloun që kandidonte për president, të fitonte. I kishim harruar mësimet e historisë që na tregonin për klounët e tjerë të cilët nuk i morëm seriozisht, derisa u bënë diktatorë të egër. Trumpi ka një shans të dytë dhe askush tashmë nuk po qesh”, tha ai.

Këshilltari i zotit Trump, Jason Miller, thotë se kjo tregon se ish-presidenti ka patur të drejtë gjatë gjithë kohës.

“Njerëzit e Bidenit më në fund e bënë një gjë të tillë. Pas disa muajsh që thanë se politika nuk kishte të bënte me gjyqin, ata u shfaqën dhe zhvilluan nje aktivitet në Manhatan, aty ku po mbahet gjyqi për Presidentin Trump”, tha ai.

Aktori De Niro ka lexuar zërin e një reklamë të re nga fushata e presidentit Biden, ku theksohet se zoti Trump ” është një person i paekuilibruar dhe i rrezikshëm, e në kërkim të pushtetit, që kur humbi zgjedhjet e vitit 2020″.

“Tashmë ai kandidon sërish. Kësaj radhe duke kërcënuar se do të bëhet diktator, për të “vrarë”, Kushtetutën”, thuhet në reklamën e fushatës së zotit Biden, lexuar nga aktori De Niro.

Në reklamë është përfshirë dhe një nga deklaratat e bëra nga zoti Trump.

“Nëse nuk zgjidhem, do të ketë gjakderdhje”, tha ai.

Me tej teksti i reklames vazhdon:

“Trump po kërkon hakmarrje dhe nuk do të ndalet para asgjëje deri sa ta bëje një gjë të tillë”, thuhet me tej në reklamë e fushatës të zotit Biden.

Nga ana tjetër fushata e zotit Trump thotë se zoti Biden po përpiqet të largojë vëmendjen e votuesve nga dështimet e tij.

“Sepse Joe Biden është i dobët, ai është bërë për të ardhur keq. Ai është një kërcënim për demokracinë, jo vetëm për shkak të përdorimit të sistemit tonë të drejtësisë, por për shkak të politikës se kufijve tërësisht të hapur që po lejojnë një pushtim masiv të këtij vendi nga persona të paligjshëm – terroristë e kriminelë. Ekonomia jonë po rrënohet. Ne po shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore. Këto janë çështjet për të cilat interesohen realisht amerikanët”, tha Karoline Leavitt, zëdhënëse e fushatës së zotit Trump.

Një sondazh i medias kombëtare publike ‘PBS’, radios publike ‘NPR’, si dhe institutit ‘Marist’ mbi opinionin publik, gjen se shumica e votuesve amerikanë nuk po e ndjekin gjyqin në Nju Jork. Juria pritet të përcaktojë nëse do ta shpallë të pafajshëm zotin Trump, ish-presidentin e parë amerikan ndaj të cilit është zhvilluar një gjyq penal, apo fajtor, duke e bërë atë një person me precedent penal, që kandidon për president.

(Zëri i Amerikës)