Ndotja e ujit e zhduk troftën e egër nga lumi i Krumës

Lumi i Krumës në verilindje të Shqipëri njihej për ujin e kristaltë dhe troftën e malit, por hedhja e një sasie të madhe klori dhe zhvillimi kaotik pas viteve ’90 shkaktoi zhdukjen e peshkut të egër dhe të gjallesave të tjera.

Bashkim Shala, BIRN

Në këmbët e malit të Pashtrikut, mes majës së Gajrepit nga njëra anë dhe bjeshkës së Krumës në anën tjetër, shtrihet një pllajë e bukur ku gjendet Vrella e Krumës – një burim i madh ujor nëntokësor i shpallur monument i natyrës shqiptare.

Nga Vrella buron edhe lumi i Krumës, i njohur dikur për ujin e kthjellët, temperaturën e ftohtë dhe troftën kontinentale, e njohur ndryshe edhe si trofta e malit.

Shaban Peka, 66 vjeç, kujton se lumi i Krumës dhe trofta e egër kanë qenë pjesë e pandashme e fëmijërisë së tij, të cilën e gjuanin lehtësisht në disa mënyra.

“Asokohe troftën e gjuanim me kosh të thurur me thupra shelgu.  Trofta e egër ecën kundër rrjedhës së ujit dhe ne e trembnim me shkopinj,” kujton Peka.

“Kur ishim fëmijë, ne shkonim e bllokonim kanalin e mullirit dhe trofta e egër bllokohej në kanal dhe ne e zinim me kova. Aq shumë kishte,” shtoi ai, ndërsa kujton se mullixhiu i ndiqte shpeshherë për t’i rrahur sepse i ndalnin punën.

Por trofta e egër u zhduk pas viteve ’90 dhe për ta zëvendësuar atë, Shaban Peka ngriti një stabiliment për kultivimin e troftës së Kalifornisë në afërsi të burimit të Vrellës.

Ekspertë dhe zyrtarë lokalë i thanë BIRN se shkak për zhdukjen e troftës së egër nga lumi i Krumës u bë hedhja e sasive të mëdha të klorit në vitin 1995 si dhe ndotja e vazhdueshme e lumit përmes ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane.

Hasan Ahmeti, ish- drejtor i Higjenës dhe Epidemiologjisë në Kukës gjatë viteve 1995-2000 kujton se asokohe vendi u përfshi nga një alarm për shfaqjen e kolerës dhe lumi i Krumës rezultoi me ndotje të lartë për shkak se banjot e brigadës së ushtrisë ndodheshin mbi rrjedhën e ujit nëntokësor.

“E klorinuam ujin disa herë dhe treguesit nuk po përmisoheshin. Kemi hapur një gropë të madhe mbi vendburimin e Vrellës dhe kemi hedhur një sasi të madhe klori, rreth një kamion me klor,” thotë Ahmeti.

Sahit Jaku, mjek në spitalin e Krumës, i cili ka mbajtur në mesin e viteve ’90 postin e drejtorit të Shëndetit Publik, e quan papërgjegjshmëri hedhjen e sasive të mëdha të klorit në depon e ujit dhe në burimin e Vrellës.

“Kemi hedhë klor me shumicë asokohe. Erdhën edhe epidemiologë dhe specialistë nga Tirana. E hodhëm klorin në gropën ku ishin derdhur ujërat e zeza, pritëm 24 orë, por klori nuk doli në burim,” kujton ai.

“Papërgjegjshmëria e punonjësve të asaj kohe në hedhjen e klorit, jo vetëm në depo, por edhe  në burimin e Vrellës  edhe si pasojë e panikut, ka bërë që të zhduken gjallesat në lumin e Krumës,” shtoi Jaku.

Për Klementina Ngjeçin, “Doktore e Shkencave” në gjeografi dhe mësuese në gjimnazin “Skënderbeu” të Krumës, hedhja pa kriter e klorit nuk është faktori i vetëm i zhdukjes së troftës së egër dhe gjallesave të tjera nga lumi.

Ai rendit si shkaqe edhe zhvillimit urban pa kriter, hedhjen e mbeturinave dhe derdhjen e ujrave të zeza në lumë.

“Trofta në lumin e Krumës  është zhdukur nga hedhja e klorit në ujë, por edhe nga mbeturinat dhe ujërat e zeza që derdhen në lumë si pasojë e ndërtimeve të shumta. Ujërat e zeza të përziera me detergjentë dhe kimikate të ndryshme kanë bërë që të zhduket kjo specie e rrallë,” tha Ngjeçi.

Biologia dhe botanistja Manjola Morina ngre alarmin se përveç troftës së malit, drejt zhdukjes në këtë lumë janë edhe specie të tjera si bretkosa e përrenjve dhe bretkosa barkverdhë – kjo e fundit e mbrojtur nga Konventa e Bernës.

“Bashkia nuk është kujdesur për mirëmbatjen e lumit Kruma, ku krahas hedhjes së mbeturinave e derdhjes së ujërave të zeza, njëherësh mungojnë edhe investimet në këtë drejtim. Gjallesat (fauna) në lumin Kruma është drejt zhdukjes,” thotë Morina.

Bashkia e Krumës i njeh problemet me dëmtimin e faunës së lumit të Krumës, por drejtues të saj ankohen se u mungojnë fondet për të realizuar investime.

Nënkryetari i bashkisë, Flamur Thaçi i tha BIRN se kanë hartuar një projekt-ide që parashikon investime  në lumë dhe një pedonale të ngjashme me atë të Lumbardhit në Prizen, por projekti nuk është miratuar “për mungesë fondesh”.

“Zhdukja e troftës së egër në lumin e Krumës është edhe si pasojë e pakësimit të ujit, duke nisur edhe në burim, por edhe nga zhvilimet e vrullshme urbane që ka njohur Kruma pas viteve ’90,” i tha BIRN Thaçi.

Ndonëse shkaqet njihen gjerësisht, krimi mjedisor i ndotjes së lumit nuk ndëshkohet. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në Has dhe në Kukës nuk ka marrë asnjë masë administrative në këtë drejtim.

“Ne kontollojmë vetëm cilësinë e ujit dhe hedhjen e klorit. Përsa i përket mbeturinave dhe derdhjen e ujërave të zeza, nuk kemi ushtruar ndonjë kontroll apo vendosur ndonjë gjobë,” tha Arjana Ukperaj, përgjegjëse e Inspektoriatit në Has.

Të njëjtën gjë përsërit edhe Fatjon Muja, drejtor i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor për qarkun e Kukësit.  “Ne si inspektoriat nuk kemi vendosur ndonjë gjobë për ndotjen në lumin e Krumës,” shtoi ai.

Përgjatë 10 viteve të fundit që merret me stabilimentin e troftës së Kalifornisë, Shaban Peka thotë se hasi vetëm njëherë një troftë të egër në burimin e Vrellës.

“E mora troftën e egër dhe e hodha në vaskë me troftën e butë. E mbaja në vëzhgim. Trofta e egër nuk po rritej, por vetëm dobësohej,” kujton Peka. “Atëherë e kam marrë dhe e kam hedhë në lumë,” përfundon ai me dëshpërim.

(Reporter.al)