Prishtinë, 17 shkurt 2026 – Njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës parakaluan më 17 shkurt në qendër të Prishtinës, në kuadër të ceremonive shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Parakalimi, i shoqëruar nga automjete ushtarake dhe pajisje të avancuara, pasqyroi përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së vendit, si dhe gatishmërinë e institucioneve për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.

Presidentja Vjosa Osmani, si komandante supreme e FSK-së, theksoi se pavarësia e Kosovës është rezultat i qëndresës, luftës dhe sacrifices.
“Sot, para jush qëndron një Republikë 18-vjeçare, e lindur nga sakrifica, e ushqyer nga qëndresa dhe e forcuar nga shpirti i popullit të saj nga secili prej jush. Kosova është shtet i lirë, i papërkulur, i vendosur për ta mbrojtur lirinë e vet në çdo pëllëmbë të saj. Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane, e guximshme, e fortë, krenare dhe me miq të shumtë. Kosova është atdheu ynë i përhershëm, shtëpia jonë, shpirti ynë, e ardhmja jonë e përbashkët”, tha ajo.
Presidentja Osmani u shprehu mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera aleate që e mbështetën Kosovën në rrugëtimin e saj drejt pavarësisë.
“Në këtë ditë të madhe, shprehim mirënjohje të thellë dhe të përhershme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetet evropiane dhe gjithë aleatët anekënd botës, që qëndruan në anën e drejtë të historisë. Ata na ndihmuan ta fitojmë lirinë, ata na ndihmuan ta ndërtojmë shtetin e edhe sot ata qëndrojnë me ne, si partnerë të besueshëm të paqes dhe sigurisë”, tha ajo.
Ajo tha se Kosova po I ndërton kapacitetet e saj mbrojtëse dhe është më e përgatitur se kurrë të përballet me çfarëdo sfidash.
“Sot, Kosova po ndërton kapacitetet e saj të mbrojtjes me përgjegjësi dhe vizion. Sot, trashëgimtarët e UÇK-së, Forca jonë e Sigurisë dhe Policia e Kosovës po na bëjnë çdo ditë krenarë. Ata e dëshmojnë se Kosova është gati për NATO. Vajzat dhe djemtë tanë me uniformë, janë dëshmi se ky shtet ka bij e bija të gatshëm t’i shërbejnë atdheut me nder, me përkushtim dhe të kontribuojnë edhe për paqen globale. Sot, Kosova është më e fortë se kurrë. Sot, Kosova është më e përgatitur se kurrë më parë. Sot, Kosova është më e vendosur se çdoherë për të ecur përpara, pavarësisht sfidave. Ne jemi shtet i përkushtuar për të mësuar dhe për të ecur përpara. Republika jonë 18-vjeçare nuk ka asnjëherë frikë nga përgjegjësia. Është një shtet që e di se liria kërkon punë, mirëqenie, vizion dhe mbrojtje të së vërtetës me çdo kusht”, theksoi presidentja Osmani.

Kryeministri Albin Kurti, ndër të tjera, tha se liria e Kosovës është ngjizur shumë kohë para shpelljes së pavarësisë, sot 18 vjet.
“Liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët, me përpjekjen e pareshtur ndër breza, me qëndresë të padhunshme dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë”, theksoi ai.
Kurti tha se populli i Kosovës sot i nderon të gjithë ata që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës. Ai theksoi se Kosova sot i kujton edhe ish-drejtuesit e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
“Në këtë ditë feste, nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare, po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare”, thas ai.
“Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta revidojmë dhe rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare dhe antikolonialiste, një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën apartheid, dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshohet asnjëherë nga askush dhe asgjë”, theksoi ai.
Kurti vlerësoi kapacitet ushtarake e policore të Kosovës. Ai u zotua se qeveria e udhëhequr prej tij do të vazhdojë të forcojë edhe më shumë ushtrinë dhe policinë.
“Ne do të vazhdojmë të investojmë në siguri, sepse i duam jetën dhe lirinë, zhvillimin dhe begatinë, të sigurta! Do të vazhdojmë ta forcojmë ushtrinë dhe policinë, sepse pa institucione të forta dhe profesionale të sigurisë, nuk ka shtet të fortë dhe ambient të qetë jetese për qytetarët tanë pa dallim. Dhe do të vazhdojmë të punojmë për qytetarët, sepse liria ka kuptim vetëm kur shoqërohet me drejtësi dhe dinjitet”, theksoi ai.




(r.m.)