Në 30 nëntor, një rrugë në New York merr emrin “Isa Boletini Way”

Nismëtari Naser Nika fton shqiptaro-amerikanët për të festuar së bashku, historinë e Shqipërisë, suksesin e komunitetit

NEW YORK

Në 30 nëntor, dy ditë pas festës sonë kombëtare, një rrugë në Staten Island, New York do të marrë edhe emrin “Isa Boletini”.

Ky është rezultat i punës së madhe që po bën Naser Nika, kryetar i  Shoqatës Shqiptare Amerikane në Staten Island, superlagjia njujorkeze ku jetojnë mijëra shqiptarë. Nisma e tij e radhës ka gjetur mbështetje mes bashkatdhetarëve tanë dhe shoqatave të tyre në New York.

Kjo ngjarje nderon heroin tonë kombëtar Isa Boletini, por edhe nënvizon rëndësinë në rritje të komunitetit shqiptar në New York dhe SHBA.  

Bashkemërtimi i rrugës si “Isa Boletini Way”, do të bëhet gjatë një ceremonie zyrtare, më 30 nëntor 2025, nga ora 11:00 AM – 4:00 PM, në kryqëzimin e Seavieë Ave & Father Capodanno Blvd, Staten Island, NY.

Të gjithë anëtarët e komunitetit shqiptarë dhe miqtë e tyre janë të mirëpritur. Do të ketë zyrtarë amerikanë dhe figura të njohura shqiptaro-amerikane.

Do të jet një ngjarje e bukur që do të shpalosë kulturën dhe historinë shqiptare si dhe suksesin e komunitetit tonë.

Nismëtari i ngjarjeje, Naser Nika thotë se ka plane të mëdha për komunitetin shqiptar. Nuk do të jetë e largët dita kur të kemi kongresistin tonë dhe të zgjedhurit tanë në të gjitha nivelet e pushtetit.

BIZNESET QË DUAN TË BËHEN PJESË E FESTËS

Për bizneset që duan të regjistrohen për këtë veprimtari, për të pasur një stendë, tavolinë, reklamë apo edhe thjesht për ta mbështetur aktivitetin, mund të mbushni formularin në fotografi, ose të kontaktoni Naser Nikën, Shoqatën, dhe organizatorët në numrat e shënuar.

Ky është një rast i mirë për t’u njohur nga komuniteti, për t’u prezantuar apo për t’i shërbyer shqiptaro-amerikanëve të mbledhur ndërsa njëkohësisht ndihmoni promovimin e historisë shqiptare në New York City.

30 Nëntori po vjen.