Tiranë, 9 nëntor 2025 – Në bashkitë e Vlorës, Tepelenës, Beratit, Cërrikut dhe Matit sot po zhvillohen zgjedhjet për kryebashkiakët e rinj. Në këto zgjedhje kanë të drejtë të votojnë rreth 335 mijë qytetarë.
Bashkia me numrin më të madh të votuesve është Vlora, me afro 171 mijë zgjedhës, ndërsa më e vogla është Tepelena, me rreth 13 mijë votues.
Partia Socialiste ka kandiduar Brunilda Mersinin në Vlorë, Ervin Cecën në Berat, Gramoz Sakon në Tepelenë, Florenc Dokën në Cërrik dhe Altin Bojnin në Mat.
Opozita e bashkuar nuk ka paraqitur kandidatë politikë, por ka vendosur të mbështesë kandidatë të pavarur. Në Vlorë ajo e mbështet Dionis Sotën, por në garë është edhe Gjergj Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak i zgjedhur në listat e Partisë Demokratike në vitin 2023.
Në Bashkinë e Beratit opozitarët e mbështesin Pavlo Shkarpën, në Tepelenë Gabriel Gumën, ndërsa në Cërrik janë në garë Amarildo Hoxha (i pavarur) dhe Eligert Hima, përfaqësues i “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Në Mat konkurrojnë Eduart Brahilika (i pavarur) dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e Forumit të Gruas në PS.
Policia e Shtetit tha se e ka hartuar një plan të detajuar masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor, Në terren do të jenë mbi 600 efektivë. Ata do të kujdesen edhe për ruajtjen e rendit në 473 qendra votimi, si edhe në 9 godina ku do të zhvillohet procesi i numërimit të votave.
Autoritetet shtetërore dhe politike u kanë bërë thirrje votuesve që të marrin pjesë në votime dhe të votojnë të lirë sipas bindjes së tyre.
Kryebashkiakët që do të zgjidhen nga ky proces do të ushtrojnë mandatin e tyre deri në vitin 2027, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e radhës për pushtetin vendor në të gjithë vendin.
(r.m.)