Në Beograd, policia shpërndan me forcë protestuesit kundër vjedhjes së zgjedhjeve

Beograd, 24 dhjetor 2023 – Forcat e policisë kanë shpërndarë me forcë protestuesit e mbledhur në qendër të Beogradit, në ditën e shtatë të protestë së opozitës që po kërkon anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Serbi.

Përfaqësuesit e listës opozitare “Serbia kundër dhunës” tentuan të hynin në ndërtesën e Kuvendit të qytetit të Beogradit, në mënyrë që t’u adresoheshin qytetarëve nga ballkoni i kësaj ndërtese. Ata e thyen xhamat e dyerve të hyrjes dhe të disa dritareve, por nuk arritën të hynin brenda pasi pjesëtarët e policisë që gjendeshin në ndërtesë hodhën gaz lotsjellës dhe i shpërndanë me forcë protestueset.

Protestuesit brohorisnin vazhdimisht “hapeni derën”, “hajdutë”, etj. Ata brohoritnin edhe “Vuçiqi është Putini”, duke e krahasuar kështu presidentin serb me autokratin rus.

Protesta e sotme e mbështetësve të opozitës nisi para selisë së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve ku u mblodhën mijëra qytetarë, me ftesë të liderëve të koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”.

Opozita serbe thotë se nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Ajo kërkon anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet, për shkak të, siç thotë, “pengimit të vullnetit të qytetarëve” nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet.

“Këto zgjedhje po anulohen”, tha Marinika Tepiq, udhëheqëse e listës “Serbia kundër dhunës”, e cila gjendet në grevë urie që nga 18 dhjetori, në shenjë proteste ndaj rezultateve të zgjedhjeve të manipuluara nga partia në pushtet.

Disa politikanë opozitarë iu bashkuan asaj në grevë të urisë gjatë kësaj jave, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve.

“Ne duhet të rregullojmë ligjet për zgjedhjet”, tha Sërxhan Milivojeviq nga Partia Demokratike.

“Ne kemi fituar në Beograd, Beogradi është qytet i lirë”, shtoi ai.

Udhëheqja shtetërore dhe aje e partisë në pushet, SNS, mohojnë kritikat e liderëve të koalicionit “Serbia kundër dhunës” si edhe gjetjet e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë për paregullsi gjatë zgjedhje.

Komisioni Republikan Zgjedhor njoftoi të dielën se ministritë e linjës e kanë kontrolluar listën zgjedhore dhe kanë ardhur në përfundim se pretendimet e koalcionit “Serbia kundër dhunës” se numri i votuesve me të drejtë vote në zgjedhjet lokale në Beograd ishte rritur në mënyrë artificiale për të ndikuar në rezultat zgjedhor “nuk ishin të vërteta”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se zgjedhjet u mbajtën në atmosferë demokratike dhe se ato “ishin zgjedhjet më paqësore në historinë moderne”. Megjithatë, ai shtoi se “vetëm institucionet shtetërore mund të vendosin nëse zgjedhjet duhet të përsëriten”.

Misioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka knstatuar se gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi ka pasur “parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve shtetërore, fushatë negative dhe përhapje të frikës”.

Një grup eurodeputetësh kanë kërkuar hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë në zgjedhjet  të gjitha niveleve.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet për parregullsi të bëra nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Partia e Vuqiqit, SNS, e ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.

(r.m.)