Berlin, 14 dhjetor 2025 – Të dielën në Berlin ka nisur edhe një raund bisedimesh mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshjeje armëpushimi në Ukrainë.
Në bisedime, përveç delegacionit të Ukrainës që udhëhiqet nga Presidenti Volodymyr Zelensky, në njërën anë, të dërguarit special i SHBA-së Steve Ëitkoff dhe dhëndrrit të presidentit Donald Trump, Jared Kushner, po merr pjesë edhe Kancelari gjerman Friedrich Merz.
Një këshilltar i presidentit ukrainas ka thënë se bisedimet mes zyrtarëve ukrainas dhe emisarëve amerikanë kanë zgjatur më se pesë orë dhe se palët janë pajtuar që bisedimet të vazhdojnë të hënën.
“Ato vazhduan për më shumë se pesë orë dhe përfunduan sot me një marrëveshje për të rifilluar nesër në mëngjes”, ka thënë këshilltari i presidencës ukrainase, Dmytro Lytvyn, në një bisedë me gazetarë në ËhatsApp.
Lytvyn ka thënë se zyrtarët ukrainas po i shqyrtonin draft-dokumentet, por nuk ka treguar detaje nga bisedimet pesë orëshe. Ai ka thënë se presidenti Volodymyr Zelensky do të flasë për bisedimet të hënën, pasi ato të përfundojnë.
Para fillimit të bisedimeve, Presidenti Zelensky ka thënë se do të ishte e padrejtë që trupat ukrainase të tërhiqeshin nga pjesa lindore e Ukrainës që e kontrollojnë aktualisht, nëse nga kjo pjesë nuk tërhiqen edhe forcat ruse.
“Unë besoj se që nga sot një opsion i drejtë i mundshëm duhet të jetë ‘ne qëndrojmë aty ku jemi’. Sepse kjo është e qëndrueshme, është ajo që është armëpushim dhe palët qëndrojnë aty ku janë dhe përpiqen t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura në mënyrë diplomatike. E di që Rusia nuk e sheh këtë pozitivisht, dhe do të doja që amerikanët të na mbështesnin në këtë çështje”, tha Zelensky në një bisedë online me gazetarët gjatë rrugës për në Berlin.
“Nëse po flasim për një lloj zone tampon përgjatë vijës së kontaktit, nëse po flasim për një lloj zone ekonomike, ne besojmë se duhet të ketë vetëm një mision policor atje”, tha Zelensky.
“Nëse trupat ukrainase tërhiqen 5 ose 10 km, për shembull, pse edhe trupat ruse nuk tërhiqen në territoret e pushtuara me të njëjtën distancë? Kjo është një pyetje që ende nuk ka një përgjigje, por është një çështje shumë e ndjeshme dhe shumë e nxehtë”, theksoi ai.
(r.m.)