Në Bjeshkët e Strellcit gjenden mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës

Prishtinë, 26 shtator 2025 – Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi të premten se në vendin e quajtur Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strecllit, janë gjetur dhe janë zhvarrosur mbetje mortore, që potencialisht u përkasin viktimave të luftës, të cilët gjenden në listën e personave të zhdukur.

Në njoftim thuhet se mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për  ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së, me urdhër të prokurorit.

Komisioni ka treguar se informatat për lokacionin ku janë gjetur mbetjet mortore janë pranuar nga qytetarët.

“Informatat e pranuara nga qytetarët janë adresuar në bashkëpunim me sektorin e Policisë për persona të zhdukur në kuadër të drejtorisë për hetimin e krimeve të luftës dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore [IML], me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it”, thuhet në njoftim.

Komisioni u ka bërë thirrje qytetarët që të ndajnë me institucionet shtetërore çfarëdo informacionesh që mund të ndihmojnë në gjetjen e personave të zhdukur.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, janë vrarë rreth 13 mijë persona, janë zhvendosur mbi 800 mijë, ndërsa janë zhdukur me forcë rreth 6 mijë, 1 mijë e 584 prej të cilëve nuk janë gjetur ende.

Në gërmimet e zhvilluara deri më tani në Serbi dhe në Kosovë janë gjetur mbetjet e shumicës së personave të zhdukur gjatë luftës. Pjesa më e madhe e tyre janë gjetur në varreza masive në Serbi. Ata ishin vrarë në Kosovë, por ishin transportuar dhe ishin groposur në në Serbi, për të fshehur përmasat e krimeve të kryera nga forcat ushtarake e policore, si edhe nga forcat paramilitare serbe.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia që t’i hapë arkivat shtetërore për të mësuar vendndodhjen e viktimave dhe të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, por Serbia vazhdon të refuzojë këtë kërkesë.

Kosova dhe Serbia kanë ngritur edhe një komision të përbashkët për të pagjeturit, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Formimit të Komisionit i ka paraprirë pajtueshmëria e arritur nga udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë më 2023 për Deklaratën e përbashkët për Personat e Zhdukur.

Në rundin e fundit të dialogut, të zhvilluar më 11 shtator në Bruksel, pala kosovare e akuzoi Serbinë se është tërhequr nga marrëveshja për komisionin për të pagjeturit.

(r.m.)