Në Burgun e Dyzit parandalohet një sulm ndaj të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt 

Prishtinë, 10 dhjetor 2023 –  Në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz është parandaluar një sulm fizik it ë burgosurve tjerë ndaj Granit Plavës, të dyshuarit për vrasjen e 30 vjeçares Liridona Ademaj.

Këtë e konfirmoi Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues së Kosovës, Ismail Dibrani, pas raportimeve se Plava është rrahur nga të burgosur të tjerë.

Dibrani ka thënë se nuk ka pasur rrahje, pork pasur një tentim sulmi ndaj Plavës. Ai ka thënë se sulmi është parandaluar nga stafi i burgut.

“Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit ta sulmojnë (Granit Plavën), stafi ka reaguar menjëherë dhe e ka parandaluar konfliktin. Nuk ka pasur rrahje. Ka pasur tentim-sulm”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

“Rasti është i ndieshëm dhe presione i opinionit ka qenë i madh. Mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik. Edhe për këtë tentim ne do të themelojmë komisionin hetimor dhe do të dalim me rezultate konkrete”, ka shpjeguar Dibrani.

Po mohoi gjithashtu se Plava ka tentuar të bëjë vetëvrasje.

“Jo. Nga ai i burgosur Ka pasur një tentim për ta dëmtuar batanijen në dhomë. Në  momentin që është hetuar, stafi ka arritur në dhomë dhe e ka larguar batanijen nga dhoma, duke e zëvendësuar me një tjetër. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje”, ka thënë Dibrani.

Ai ka thënë se tre të dyshuarit lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt (Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla) trajtohen si persona me rrezikshmëri të lartë, pranadaj shkalla e sigurisë në burg është ngritur.

Drejtori i Shërbimit Korrektues ka thënë se tre të dyshuarit janë të vendosur në dhoma njëshe dhe nuk mund të kenër asnjë kontakt midis tyre.

30-vjeçarja Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor, në mbrëmje, në Prishtinë. Fillimisht rasti u cilësua “grabitje e armatosur me pasojë vdekjen”, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, e kishin inskenuar skenën e krimit si grabitje e armatosur.

Të tre të dyshuarve u është caktuar masa e sigurisë 30 ditë paraburgim. Ata janë vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Të shtunën është arrestuar edhe një person të dyshuar në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Ai dyshohet se ia ka shitur dorasit të dyshuar armën më të cilën është kryer vrasja e 30 vjeçares.

(r.m.)