
Në Shqipëri vazhdojnë protestat prej 68 ditësh pa u ndalur. Protestuesit kanë kërkesa të përcaktuara dhe artikuluara qartë. Ata nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe nga vijimi i protestave. Në këtë atmosferë, sikur harrohen zhvillimet në situatën ndërkombëtare, ecja mbi minë me sahat, përshkallëzimi në ekstrem i punëve dhe një rrugëdaljeje e mundëshme. Bota sot është në buzë të greminës shkatërrimtare për njerëzimin. Po zhvillohen njëkohësisht tri luftëra, dy të ndezura që, në fakt, është e njëjta luftë (në Ukrainë dhe Iran kundër Rusisë) dhe tjetra, në dukje ende e ftohtë, por që vjen duke u ashpërsuar gradualisht, kundër Kinës. Këto luftëra janë kundër sfiduesve të hapur të hegjemonisë perëndimore mbi 300 vjecare.
Një analizë gjeopolitike e kujdesshme, jo ideologjike, profesionale, e gamës morale, financiare, industriale, ekonomike, ushtarako-diplomatike, shkencore etj., nxjerr në pah se kemi të bëjmë me rënien graduale të hegjemonisë perëndimore: nuk ka fitore strategjike kundër Rusisë, nuk ka fitore strategjike kundër Iranit, por në fakt ka humbje.
Janë disa arsye kryesore për konfliktet me të cilat përballet bota sot. Pavarësisht retorikës që përsëritet nga drejtimi politik dhe mediat bashkëfajtore, kujtohet së konfliktet nuk janë për të drejtat e njeriut, të popujve, as për “merakun” për demokracinë, të drejtat e grave dhe fëmijëve, as për ato të LGBT, as për ndryshimet klimaterike dhe as armët bërthamore të Iranit, etj. Arsyeja kryesore është kontrolli dhe përdorimi i pasurive botërore dhe i rrugëve për t’i siguruar ato.
Më specifikisht: ndaj Rusisë synimet ishin dhe janë: ndryshim regjimi, dobësim maksimal ekonomiko-ushtarak, prishje e qetësisë, rritje e mosbesimit dhe ndërsimi i popullatës kundër qeverisë të vendit, marrje në dorë të pasurive natyrore, mundësisht edhe pjestim territorial. Këto janë thënë dhe dëgjuar me zë dhe figurë. Ndaj Iranit synimet ishin dhe janë: ndryshim regjimi, dhënie fund të pasurimit të uranit, rreziku i armëve bërthamore, ndalim mbështetjeje për Hezbollahun në Liban dhe Hutit e Jemenit, dhënie fund të programit të raketave për distanca të gjata. Në të gjithë këto elementë ka dështim deri patetik. Prandaj duhen disa kompensime dhe thesi i preferuar (i stërvitjes të boksit) janë europianët.
Politikat për të rrethuar Rusinë nga të gjithë drejtimet dhe për ta mposhtur ushtarakisht-ekonomikisht kanë filluar mbi 200 vjet më parë pas dështimit shkatërrimtar të Napolonit në 1815. Napoleoni dërgoi një forcë të madhe prej 600 mije trupash në territorin rus për t’a detyruar Car Aleksandrin I që të kthente kurs, pasi ai e kishte lënë Sistemin Kontinental te Napolonit për të rifilluar tregëtinë me Britaninë e Madhe, që Cari të merrte pjesë në bllokadën ekonomike kundër Britanisë. Për t’a alarmuar Carin, Napoloni pati krijuar edhe Dukatin e Varshavës afër kufirit rus. Pas tri vitet luftimesh (1812-1815) në një fushatë shkatërrimtare, më pak se 1/6 e trupave francezë mundën të mbijetonin. Tek ai dështim katastrofal gjenden fillimet e rusofobisë – urrejtja ndaj Rusisë, gjithë të këqijat në botë kanë një emër – ato janë ruse – çka u vijua me Lordin Palmerston (1850) e me radhë, duke arritur tek ditët e sotme të pandryshuara dhe të zgjeruara.
Kësisoj, rrethimi i plotë gjeostrategjik i Rusisë shihet si paketë synimi me shumë komponentë: zgjerimi i NATOs deri në kufijte rusë (që e nisi Klintoni në fillimet e viteve 90-të pavarësisht kundërshtive); përshkallëzimet në Balltik, kapadaillëku foshnjor i balltikëve shumë të vegjël dhe i drejtuesve politikë skandinavë, korridori Veri-Jug (7,200 km) që lidh Rusinë përmes Detit Kaspik me Azerbajxhanin, Europën, Iranin në portin Bandar Abbas, Pakistanin në portin Chabahar dhe Indinë; iniciativën e Rrypit dhe Rrugës nga Kina, në linjën e Rrugës të lashtë të Mëndafshtë, përmes Kazakistanit në Iran (7,000 km plus), korridore që përbëjnë strategji madhore infrastrukturore dhe ekonomike me synim lidhjen e Azisë, Europës (Euro-Azisë), Afrikës me një rrejt portesh, hekurudhash, autostradash dhe tubacionesh të transportit të energjisë për t’i dhënë hov tregtisë botërore jashtë ndikimit sanksionues perëndimor; BRICS në përgjithësi, ngadalësim deri mundësisht ndërprerje të iniciativave për autonomi ekonomike, financiare dhe monetare (sistemi i ri i pagesave të BRICS u shpall ditët e fundit).
Është e lexueshme se vendet e BRICS nuk e duan më dominimin e oligarkisë perëndimore, në një kohë që kjo oligarki merkantile perëndimore nuk don që të humbasë privilegjet dhe përfitimet e saj shekullore. Qartësohen kësisoj arsyet përse oligarkia perëndimore përpiqet të vendosë gjithëfarësoj paketa sanksionesh ndaj të gjithëve që i konsiderohen “jo të tyre”, që “nuk zbatojnë çfarë u them dhe u kërkoj, që nuk na binden”. Sot janë rreth 60 vende nën sanksione të ndryshme, ndonjë prej tyre prej 6-7 dekadash, si Kuba. Fakt është se sanksionet janë krejt të paligjshme. Ato thjesht janë mjet presioni politiko-ekonomik duke përdorur institucionet financiare, por që nuk kanë kurrfarë baze juridike ku mbështeten; në përfundim, kjo oligarki nuk kontrollon më naftën dhe energjinë. Narrativat e përsëritura në sytë e masave të njerëzve që rropaten në punë synojnë të ngjallin frikë, “ajo është mënyra më e mirë për të mbajtur tufën nën kontroll”.
Prandaj them se bota po ecën në një rrugë qafëthyese, si në Ukrainë ashtu edhe në Iran, ndërkohë që përdoret justifikimi “i luajtjes të lojës deri në zgrip, por në mënyrë të kontrolluar”. Fakt është se bota është e mbërthyer në kurthin e përshkallëzimit drejt Luftës III Botërore. Larg qoftë, nëse ndodh, i jepet fund jetës në Planetin Tokë. Duket se rrumpalla dhe mbërthimi me thonj te kjo politike për drejtues të sotëm politikë, më të dobëtit e 30 viteve të fundit, ka më shumë rëndësi sesa vetë interesat jetike të vendeve dhe të popujve.
Ukraina inkurajohet të luajë fort kundër Risisë se ajo përfundimisht do behët pjesë e perëndimit, se në fund do t’a mundim Putinin dhe ana jonë do fitojë seose koha punon për ne. Do ishte shumë më kuptimplotë që perëndimi të kishte një Ukrainë neutrale që kjo krizë e tmerrshme të mbyllet sa më parë. Kjo do të jetë edhe në interes të Rusisë, pra të dyja dhe të gjithë palëve, që kësaj mizorir t’i jepet fund.
Mbizotëron ideja në NATO se duke e çuar luftën brenda territorit rus do t’a detyrojë Rusinë të kapitullojë. Kjo ide bazohet te hamendimi fallso se Rusia po bën luftë perandorake “të paprovokuar”. Ndërsa nga perspektiva e Moskës shihet ndryshe, se ajo po bën luftë mbrojtëse ekzistenciale kundër NATO-s, perëndimit, që është i vendosur të përdorë Ukrainën për të shkatërruar Rusinë. Për Rusinë armëpushimi nuk është paqe, sepse vende të NATO-s po dërgojnë dhe do të dërgojnë trupat dhe armatimet e tyre në Ukrainë. NATO në Ukrainë konsiderohet kërcënim egzistencial për Rusinë dhe e vetmja përgjigje e mundëshme për Rusinë mbetet përshkallëzimi, sepse nuk ka mbetur tjetër. Kjo mund të çojë lehtësisht në luftë botërore. Bota është në zgrip të saj!
Një e keqe tjetër është, fatkeqësisht, se liria e fjalës është në rënie të lirë prej vitesh dhe popullsitë janë indoktrinuar të përsërisin si papagalli se është “propagande ruse, putiniane” kurdoherë që argumenti devijon nga narrativa e miratuar në NATO. Njihet se armët, planifikimi i luftës, zbulimi inteligjent, përzgjedhja e objektivave nga sateliltët dhe marrja e tyre, dekodimi dhe vendosja e tyre në shënjestër, kontraktorët e NATOs janë të tyre dhe përdoren për të goditur në thellësi në Rusi. Kjo nuk mund të vijojë pafundësisht, por derisa Rusia të bindet se nuk ka rrugë tjeter por të përgjigjet. Ku, si, me çfarë? Ky është rreziku më i madh. Drejtuesit politik perëndimore aktualë po e fusin Europën dhe popujt e saj në luftë kundër Rusisë, çka ka filluar, duke mos lejuar absolutisht asnjë diskutim apo debat publik për këtë luftë. Kur të vijë përgjigja do jetë si e detyrueshme të pretendohet se ishte “e paprovokuar”. Deluzion, marrëzi. Popujt kudo, në Europë dhe gjetkë, nuk duan luftë, duan marrëdhënie ndërmjet kombeve!
Irani ka histori jo të panjohur. Wesli Klark, ish komandati suprem i NATOs, pas daljen në pension, tha në kamera se i ishte treguar një memo në Departamentin e Mbrojtjes sipas të cilës duheshin sulmuar 7 shtete në pesë vjet. Irani është i shtati në këtë vazhdë sulmesh. Ideja e sulmit ndaj Iranit ështe objektiv i vjetër, rreth 5 dekada, që me projektin e Shekullit të ri Amerikan, etj. Ai program kërkonte që të zvogëlonte fuqinë e Iranit, të ngjalle kaos, të bënte rrëmuje duke ngritur popullatën cka do sillte ndërrim regjimi. Në fakt sot solli një aleancë më të fortë strategjike Kinë, Rusi, Iran, pa lënë mënjanë edhe Pakistanin.
Sulmi nuk është bërë deri tani sepse është menduar mirë strategjikisht, ushtarakisht, mundësitë reale të fitores ose jo, pasojat, pasi Irani është komb qytetërimi 6-7 mijë vjeçar. etj. Trampi ishte i vetmi që rrahu gjoksin, si bën për çdo gjë, se të tjerët nuk e bënë, unë e bëra. Tramp injoroi publikisht ish-drejtoren e Zbulimit Kombëtar, Tulsi Gabard për paraqitjen që ajo bëri në Kongres, dhe besoi çfarë iu ofrua nga tjerë. Ekspertët ushtarakë dhe të sigurisë pohojnë se Irani nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Amarikës, por lufta bëhet për llogari, interesa dhe me kërkesën e Izraelit.
Ndër vite janë bërë manovra ushtarake për të hyrë në Iran, si të bëhet kjo dhe ajo, si janë planet për këtë dhe atë në letër që të gjunjëzohet ai vend dhe, në asnjë rast, siç mësohet, deri nën Trampin, nuk është dalur me ide konkrete sesi duhet të fitohet një sulm apo luftë kundër Iranit. Marrëzia zbuloi dhe demaskoi dobësitë, kryesisht ato ushtarake, etj., sepse nuk qenka aq e madhe forca sa mendohet se është. Duket se sistemi nuk është i tillë që mund të përballojë dy luftëra njëkohësisht dhe as me një vend që kundërpërgjigjet. Është parë se nuk është fituar asnjë luftë kur ka pasur kundërpërgjigje. Kanë qenë si ekspedita luftarake. Dalja në pah e dobësive në sytë e aleatëve dhe më gjerë nuk i bën aspak mirë vetë shtetit amerikan.
Mendohet se sulmi kundër Iranit ndodhi se janë blerë politikanët, se e shtyu fort lobi hebre (AIPAC) dhe më gjerë, se u bë për hegjemoni? Hegjemoninë e cilit, të Izraelit ne Lindjen e Mesme, apo tjetërkujt? Është njerëzore të përcaktosh sesi don që të jetë historia dhe pastaj të kërkosh dëshmi për të mbështetur çfarë ke përcaktuar. Nuk kursehen përdorimi i manipulimeve, i aleancave dhe miqësive, rialokimi i burimeve financiare, ushtarake, të zbulimit. Lufta sjell shumë fitime financiare.
Irani është armik i fortë, ka aleate të fortë, është ndryshe nga të tjerët e vegjël që manipulohen lehtë. Është e njohur se në një vend futesh me presion ekonomik, politik, dënime, sanksione, manipulime zgjedhjesh, etj., pastaj ndërrohen qeveritë. Lufta bëhet se prodhon para, bankat kanë interes, bëhet për t‘i kthyer favoret donatorëve dhe miqve në një vend apo në një tjetër, por edhe për arsye mitologjike racore ideologjike.
Ajo qe shihet sot është se më i madhi i perëndimit deri dje nuk është më as më i madhi, as më i forti, as hegjemoni. Hegjemonia 80 vjeçare pas Luftës II Botërore dhe, kryesisht, pas mbarimit të luftës të ftohtë në 1991, është në rrugën e përfundimit. Sot ajo fuqi është një ndër të mëdhenjtë dhe të fortit, as më pak, as më shumë. Unipolariteti në rënie po e vështirëson me sa dhe me çka mundet ngritjen e multipolaritetit që ka lindje të vështirë dhe po ngrihet në një situatë dhune dhe kaosi, në anarki totale të marrëdhënieve dhe të drejtës ndërkombëtare.
Bota sot është në transformim të madh multipolar. Ajo po kalon spostimin më të madh strukturor të paparë prej shumë dekadash, po ecën gradualisht nga unipolariteti me qendër perëndimin në një model shumëpalësh. Sfida reale e epokës tonë është se, tek gradualisht po shkohet drejt fundit të dominimit shekullor perëndimor, është e domosdoshme që Perëndimi të adaptohet me një botë shumëpolare.
Shkrimtari i madh Leon Tolstoi ka pasë thënë: “I kam hipur dikujt në kurriz duke ia zënë frymën, por e detyroj të më mbajë mbi kurriz, dhe përsëri siguroj veten dhe të tjerët se më vjen shumë keq për të dhe dëshiroj t’ia lehtësoj mundimin me të gjithë mjetet e mundshme, përveç jo duke më zbritur nga kurrizi i tij”. Kritikë e mprehtë ndaj hipokrizisë, veçanërisht në politikë dhe ndaj sjelljeve të tilla njerëzore. Ato radhë flasin për simpatinë fallso kundrejt përgjegjësisë. Është më lehtë të shprehësh brengosje për të tjerët me fjalë, me emocione dhe opinione. Brengosja e vërtetë kërkon veprim për të zhdukur shkakun e dëmtimit dhe jo thjesht të thuhet se të vjen keq për të. Njerëzit mund të shprehin brengosje për pabarazinë, ekonominë, varfërinë, padrejtësinë, luftërat, etj., por përsëri mbeten pjesë e sistemit që e lejon vazhdimin e tyre.
* Autori, ish-ambasador dhe ish-Kryenegociator i RSH me BE
Marrë nga gazeta Panorama
https://www.panorama.com.al/ne-buze-te-gremines/