Në Durrës nis “Defender Europe 21”, stërvitja më e madhe ushtarake

Tiranë, 4 maj 2021 – Në Portin e Durrësit, në Shqipëri, sot nisi stërvitja e madhe ushtarake e NATO-s “Defender 21”.

“Defender 21” u çel sot me manifestimin ‘Dita e Vizitorëve të Shquar (DV- Day), me praninë e autoriteteve të larta ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të NATO-s dhe të autoriteteve më të larta shtetërore të Shqipërisë.

 “Defender Europe 21” është stërvitje e organizuar nga ushtria amerikane në Europë dhe Afrikë. Në të do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të NATO-s për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin e Detit të Zi.

Në këtë stërvitje parashikohet të marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere në kuadër të NATO-s.

Shqipëria është një nga 16 vendet që mirëpret zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake, e cila ka për qëllim ndërveprimin e aleatëve dhe reagimin në raste krizash.

Stërvitja pritet të zgjasë deri në 9 Qershor.

Edi-Rama-Ilir-Meta-Yuri-Kim-Gramoz-Ruci-NATO-Ushtria (3)

Meta: “Jemi të gatshëm të mbrojmë vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë”

Në fjalën e tij para përfaqësuesve amerikane dhe të NATO-s, Kreu i Shtetit shqiptar, IlirMeta,tha se kjo  stërvitje është një garanci e fortë se Shqipëria është e gatshme të mbrojë vlerat e demokracisë dhe paqes në Evropë dhe në të gjithë hapësirën Euroatlantike.

“Kjo ngjarje e madhe është një stërvitje shumëkombëshe, ku Forcat e Armatosura jo vetëm do të mbështesin trupat e tjerë, po do të jenë aktive me 1.000 trupa.

Synimi që NATO dhe SHBA kanë vendosur për këtë stërvitje i japin një mundësi të shkëlqyer Forcave të Armatosura për të testuar aftësitë operacionale të njësive dhe strukturave, jo vetëm të luftimit por edhe mbështetëse duke rritur kështu nivelin e përgatitjes në përmbushje të misionit kushtetues dhe përgjegjësive tona ndaj aleancës”, tha Meta.

“Ky është një rast i shkëlqyer për të njohur më mirë mjedisin rajonal dhe në këtë kontekst është e rëndësishme që Shqipëria të arrijë atë nivel besueshmërie që kërkon dhe pozicioni dhe roli i saj strategjik.”, shtoi ai.

“Jam besim plotë se pjesëmarrësit e këtij ushtrimi do të mbeten edhe me përshtypjen më mbresëlënëse nga mikpritja shqiptare. ‘Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e zotit’, u shpreh ai.

Presidenti Meta iu drejtua me një mesazh të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Të dashur miq të SHBA, miqësia mes dy kombeve tona është më e hershme sesa periudha e shtetit shqiptar, për të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar shumë për ta njohur. Jemi të gatshëm të mbrojmë vlerat e lirisë paqes dhe demokracisë në Evropë dhe kudo në hapësirat euroatlantike”, theksoi Meta.

Edi-Rama-Ilir-Meta-Yuri-Kim-Gramoz-Ruci-NATO-Ushtria (4)

Rama: “Është një moment historik për ne, na mbush me krenari”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij, i vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Aleancës Veri-Atlantike.

“Ne i vlerësojmë këto marrëdhënie si të shkëlqyera, por fakti është se ato mund të jenë më të shkëlqyera falë një besimi të madh dhe ndërveprimi reciprok të vazhdueshëm”, u shpreh ai.

Rama vuri theksin te ndryshimi i madh që ka ndodhur në Shëipëri pas rrëzimit të komunizmit. Ai e cilësoi si “një mrekulli të madhe” miqësinë dhe parneritetin me botën demokratike, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjenerata jonë erdhi deri këtu me idenë se ju nuk duheshit lënë kurrë të shkelnit në këtë vend. Në u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që  mund ti ndodhë jo vetëm Shqipërisë, por gjithë botës. Për gjeneratën tonë është një mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën mes dy botëve: të asaj bote të errët të izoluar dhe kësaj bote ku ne mund të mirëpresim me respekt miqtë dhe partnerët tanë të shumtë dhe mbi të gjitha miqtë tanë amerikanë”, u  shpreh ai.

“Është një moment historik për ne, na mbush me krenari dhe ne do qëndrojmë krah për krah jush si një vend që ndoshta nga pikëpamje numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj aleance, por nga vlerat ne duam të jemi më të denjë dhe më të vyer brenda kësaj aleance”, u shpreh kryeministri Rama.

Edi-Rama-Ilir-Meta-Yuri-Kim-Gramoz-Ruci-NATO-Ushtria (5)

Yuri Kim: “Mbetemi krah për krah me ju – sot, nesër e gjithmonë”

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, në fjalën e saj, e cilësoi si ngjarje historike stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”.

Ajo tha se nuk është rastësi që kjo stërvitje zhvillohet në Shqipëri dhe  theksoi se roli i Shqipërisë është më i rëndësishëm se kurrë.

“Roli i Shqipërisë në aleancë vetëm rritet. Po të shohësh aktivitetet, vihet re se Shqipëria është pjesëmarrëse më shumë se çdo vend në rajon. Mendoni se është rastësore, por nuk është. Roli i Shqipërisë është më i rëndësishëm se kurrë. Shqiptarët kanë ndihmuar rretheqark globit. Kurrë nuk do t’i harrojmë sakrificat tuaja. Shqipëria gjithmonë është krah nesh. E njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’iu quajmë aleatët tanë”, tha ambasadorja Kim.

Ajo i shprehu mirënjohje Shqipërisë për vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikësdo të jenëgjithmonë krah për krah me Shqipërinë.

“Shqipëria është edhe një vend strategjik, ofron një bazë të rëndësishëm për t’iu përgjigjur emergjencave shpejt. Përgëzojmë vullnetin e Shqipërisë për të marrë përgjegjësi. Keni qenë të zëshëm, nuk keni hezituar kurrë të dërgoni trupat tuaja, apo të prisni aleatët në vendin tuaj. Jem kaq mirënjohës për mikpritjen, partneritetin e kurajon tuaj. Kjo stërvitje në Shqipëri është historike. Do të stërvitemi së bashku më shpesh, do të punojmë së bashku më gjerë. Mbetemi krah për krah me ju – sot, nesër e gjithmonë”, theksoi ambasadorja Kim.

Gjenerali Tod Walters: Shqipëria është eksportuese e sigurisë!

Gjenerali amerikan Tod Walters. Komandanti i Komandës së Forcave amerikane në Europë, tha se Shqipëria ka luajtur rol të rëndësishëm për  paqen në rajon.

“Është nder të jem këtu, në Shqipëri, të jem kaq i lumtur në një komb që i trajton të gjithë miqtë e tij si motra e vëllezër, bij dhe bija. Dua të falënderoj këtë komb kaq të bekuar për atë që kea bërë dhe vijon të bëjë për paqen në rajon”, tha gjenrali Walters.

Më pas ai foli për karakerin e stërvitjes “Defender Europe 21”.

“Sot e kemi provën e asaj që duhet të bëjmë. Duhet të përmirësojmë zbarkimin strategjik në bregdet, i cili nuk është bërë që prej vitit 1940. Duhet të kujtojmë çfarë ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, me Zbarkimin e Normandisë. Me të gjitha mjetet logjistike,  në tokë e det, ne do të zbarkojmë sot dhe do të kuptojmë çfarë prove e vështirë është kjo”, tha Walters.

“Në ‘Defender Europe 21’ do të marrin  pjesë 28 mijë trupa të marinës të 25 vendeve. Qëllimi ynë është të demonstrojmë aftësitë tona të  veprimit kolektiv”, u shpreh ai.“Së bashku ndihemi më të sigurt, jemi më të forte”,  theksoi gjenerali amerikan Tod Walters.

(Ramadan Muçolli)