Elbasan / Korçë, 24 nëntor 2023 – Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar pasuritë e një të dënuari për kultivim të lëndëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim dy persona për pastrim parash.
Prokuroria e Elbasanit njoftoi të premten, më 24 nëntor, për sekuestrimin e pronave të shtetasit L.C., i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për kultivim të lëndëve narkotike “në shtëpitë e barit”.
Sipas prokurorisë, ky shtetas dhe personat e afërt me të, gjatë dhe pas kohës së kryerjes së veprimtarisë së jashtëligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, kanë investuar në pasuri të paluajtshme që dyshohet se kanë si burim të ardhurat nga ai aktivitet.
“Pasuritë e konstatuara janë dukshëm të pajustikuara nga të ardhurat e ligjshme të personave të lidhur të personit nën hetim L.C.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Aty bëhet e ditur se janë sekuestruar një apartament dhe dy garazhe.
Ndërkohë, Prokuroria e Korçës njoftoi për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dy të pandehurve, E.D. dhe L.K., të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas organit të akuzës në Korçë, E.D. ka kryer veprimtari kriminale në fushën e mbajtjes, tregtimit, trafikimit të lëndëve narkotike, që vërtetohet nga dënimi i tij me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe prej arrestimit nga policia federale gjermane për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Në njoftim thuhet se i pandehuri ka krijuar pasuri të konsiderueshme, të cilat i ka fshehur duke i kthyer në pasuri të paluajtshme, një ndërtesë trekatëshe në rrugën “Naum Kristo Voskopoja” në Korçë, me vlerë tregu rreth 30 milionë lekë.
I pandehuri akuzohet se këtë pasuri e ka fshehur në emër të shtetases L. K., e cila, së bashku me motrën e saj, kanë kursime nga të ardhurat e ligjshme në masën 4.9 milioë lekë, shumë që nuk mbulon investimin e kryer.
(r.m.)