Në Evropë ka filluar trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët amerikanë F-16

Bruksel, 23 maj 2023 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të martën se në disa vende evropianeka folluar trajnimi i pilotëve ukrainas për avionë luftarakë amerikanë F-16.

Në takimin e ministrave evropianë të mbrojtjes, ai tha se është i lumtur që “më në fund ka filluar trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët luftarakë amerikanë F-16.

“Gjithmonë është e njëjta gjë, diskutojmë, në fillim të gjithë hezitojnë dhe në fund, ashtu si me tanket Leopard, edhe me avionët F-16, vjen vendimi për ta dhënë këtë mbështetje ushtarake, sepse është absolutisht e nevojshme që Ukraina të vazhdojë të mbrohet”, tha zoti Borell.

Ministrja e Mbrojtjes e Holandës, Kajsa Ollongren u shpreh e kënaqur që Shtetet e Bashkuara ranë dakord për të lejuar pilotët ukrainas të trajnohen për avionët luftarak F-16, që janë prodhim amerikan.

“Kjo do të thotë se ne mund të vazhdojmë dhe gjithashtu të përfundojmë planet që po bëjmë me Danimarkën dhe aleatët e tjerë për të filluar trajnimet. Ky është hapi i parë, pasi fillimisht duhet të kesh pilotë që të fluturojnë me këta avionë. Hapi tjetër do të ishte të gjesh avionët. Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me aleatët tanë dhe me vendet që mund të kenë avionët F-16 për hapin e radhës, por kjo është në fazën tjetër”, tha zonja Ollongren.

Presidenti amerikan Joe Biden, gjatë takimit të nivelit të lartë të shtatë shteteve më të zhvilluara të botës që u mbajt javën e kaluar në Hiroshima të Japonisë, njoftoi se SHBA-ja do t’i bashkohet koalicionit të shteteve që janë të gatshme t’i trajnojnë dhe t’iu japin ukrainasve avionë luftarakë F-16.

Miratimi nga presidenti amerikan erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kaloi muaj duke ushtruar presion ndaj Perëndimit për t’i pajisur forcat e tij me avionë të prodhuar nga Amerika, ndërsa ai përpiqet të zmbrapsë forcat ruse që nisën sulmin në Ukrainë para 15-muajsh.

(Zëri i Amerikës)