Në Gazë, vriten edhe 6 punëtorë të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë

Gaza, 24 tetor 2023 – Gjashtë punëtorë të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit në Rripin e Gazës, njoftoi të martën Zyra e OKB-së për Çështje Humanitare (OCHA).

Më se 35 punëtorë të kësaj agjencie janë vrarë prej 7 tetorit, kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Punëtorët humanitarë nuk janë kursyer nga bombardimet e pareshtura izraelite në Gazë, të cilat ushtria izraelite po i kryen pasi grupi militant Hamas e kreu njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë 75-vjeçare të Izraelit.

“Që nga fillimi i luftimeve, së paku 16 punëtorë shëndetësorë janë vrarë në detyrë, bashkë me 35 anëtarë të stafit të UNRËA”, njoftoi OCHA në një komunikatë për media.

“Gjashtë prej tyre u vranë vetëm në 24 orët e fundit”, tha ajo.

UNRËA mbështet 5.6 milionë refugjatë palestinezë në Gazë, në Bregun Perëndimorë dhe në Jerusalemin Lindor, si edhe në Jordani, në Liban dhe në Siri.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila udhëhiqet nga Hamasi, nga bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 5.000 njerëz.

Izraeli është duke kryer sulme ajrore si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në qytetet jugore izraelite më 7 tetor, në të cilat, sipas autoriteteve izraelite, u vranë më shumë se 1.400 njerëz.

Ushtria e Izraelit, e cila thotë se Hamasi po i mban peng 222 izraelitë, është duke u përgatitur për pushtim tokësor të Gazës së mbipopulluar me palestinezë.

UNRËA i nderoi punëtorët e vet të vrarë në Gazë qe nga 7 tetori përmes një postimi në rrjetin social X.

“Ne jemi të pikëlluar dhe i kujtojmë ata. Ata nuk janë vetëm numër. Ata janë miqtë dhe kolegët tanë”, shkroi UNRWA.

Gati 590.000 njerëz – pothuajse gjysma e 1.4 milion njerëzve që janë zhvendosur brenda Rripit të Gazës që nga fillimi i bombardimeve – janë strehuar në ndërtesat e UNRËA, sipas OCHA-s.

(REL)