Në Gjermani, gati një e katërta e popullsisë ka prejardhje migrantësh

Berlin, 22 prill 2023 – Në vitin 2022 në Gjermani jetonin 20,2 milionë vetë që kishin emigruar vetë ose që i kishin të dy prindërit emigrantë. Sipas Zyrës Federale të Statistikave kjo shifër është 6.5 për qind më e lartë se në vitin 2021.

Përqindja e emigrantëve të brezit të parë dhe të dytë në popullsinë e Republikës Federale të Gjermanisë u ngjit nga 23 për qind në vitin 2021 në 24,3 për qind vitin e kaluar. Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden njoftoi se rritja e përqindjes së popullsisë me prejardhje migrantësh është bërë sidomos nga ardhja e refugjatëve nga Ukraina, Siria dhe Afganistani.

Përqindja në popullsi e të emigruarve drejtpërdrejt është rritur me 7.3 për qind, duke e kaluar numrin e atyre që kanë lindur në Gjermani nga prindë emigrantë, të cilët përbëjnë 4 për qind të popullsisë.

Këto shifra kanë dalë nga mikrocensusi i fundit. Ai është një anketim statistikor që, ndryshe nga regjistrimi i madh i popullsisë, kryhet në intervale më të shkurtra dhe në sondazhe më të vogla.

Zyra Federale e Statistikave i përcakton njerëz me histori migrimi personat, që kanë emigruar vetë në Gjermani që prej vitit 1950, të ashtuquajturit të brezit të parë, si edhe pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë, të quajtur si migrantë të brezit të dytë.

Më shumë migrantë meshkuj se femra

Rreth tre të katërtat e 20,2 milionë njerëzve me histori migracioni kanë erdhur vetë në Gjermani që nga viti 1950. 4,9 milionë vetë janë pasardhës të drejtpërdrejtë të këtyre emigrantëve. Në pjesën mashkullore të popullsisë përqindja e emigrantëve ishte pak më e lartë me 24,8 për qind sesa tek gratë me 23.8 për qind. Me një moshë mesatare prej 29.9 vjeç ata që emigruan pas vitit 2013, janë dukshëm më të rinj se popullsia pa sfond emigracioni, mosha mesatare e së cilës është 47 vjeç.

Në periudhën prej vitit 2013 shumica e emigrantëve, me 16 për qind, kanë ardhur nga Siria. Rumania pason me shtatë për qind dhe Polonia me gjashtë për qind. Ukraina është në vendin e katërt me një pjesëmarrje prej pesë përqind, megjithëse sipas Zyrës Federale ukrainasit, që emigruan vitin e kaluar, nuk janë përfshirë ende plotësisht në mikrocensus.

Arsyet më të rëndësishme të imigrimit në periudhën prej vitit 2013 ishin arratia, azili dhe mbrojtja ndërkombëtare me një përqindje prej 27,9 për qind. Më pas me një kuotë prej 24,2 për qind vinte imigracioni për arsye punësimidhe bashkimi familjar me 23.9 për qind. Pak më shumë se tetë për qind e të emigruarve që nga viti 2013 kanë ardhur në Gjermani kryesisht për studime ose trajnime dhe kualifikime të mëtejshme.

Më shumë njerëz me sfond migracioni

Përqindja e njerëzve me sfond migracioni në popullsinë gjermane është edhe më e madhe.

Vitin e kaluar ishin 28,7 për qind ose 23,8 milionë vetë. Sipas përkufizimit të Entit Federal të Statistikave një person ka sfond migrimi, nëse ai ose të paktën njëri prind nuk ka lindur me shtetësi gjermane.

Më shumë se gjysma e 12,2 milionë gjermanëve me prejardhje migracioni kanë shtetësi gjermane që nga lindja. Ata kanë sfond migracioni, sepse të paktën njëri prind është i huaj, është i natyralizuar, është gjerman përmes birësimit ose i riatdhesuar. Gjithsej 23 për qind kanë ardhur në Gjermani si të riatdhesuar, 22 për qind janë natyralizuar.

(DW)