“NË GJUHËN E RRËNJËVE TONA”

Shkolla e Trashëgimisë Shqipe ‘Children of the Eagle’ mbyll me sukses vitin shkollor 2025–2026

Më 30 maj, Shkolla e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” organizoi me krenari dhe entuziazëm ceremoninë e mbylljes së vitit shkollor të Programit të Trashëgimisë Shqipe. Në këtë festë të veçantë morën pjesë nxënës, prindër, mësues, miq të shkollës dhe të ftuar, të bashkuar nga dashuria për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar.

E ftuar speciale në këtë aktivitet ishte Ambasadorja e Përhershme e Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, znj. Suela Janina, e cila nderoi ceremoninë me praninë dhe fjalën e saj përshëndetëse. Në mesazhin e saj, ambasadorja vlerësoi punën e jashtëzakonshme që zhvillohet në shkollat e trashëgimisë shqiptare dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare si një nga shtyllat më të forta të identitetit kombëtar. Ajo përgëzoi nxënësit për përkushtimin dhe guximin për të mësuar e folur shqip, prindërit për mbështetjen e vazhdueshme dhe mësuesit për misionin e tyre fisnik në edukimin e brezave të rinj. Në veçanti, ambasadorja përshëndeti arritjet e këtij viti shkollor dhe shprehu vlerësimin e saj për punën që po bëhet në forcimin e identitetit shqiptar tek brezi i ri, duke e cilësuar këtë si një kontribut të çmuar për kombin shqiptar kudo në botë.

Mes të ftuarve të nderit ishin edhe znj. Donika Prenga, ish-drejtore shkolle në Shqipëri dhe mbështetëse aktive e shkollave shqipe në diasporë, si dhe znj. Elvira Zeneli, kryeredaktore e revistës për fëmijë “Zog Mëngjesi”. Prania e tyre i dha aktivitetit një vlerë të veçantë, duke krijuar një urë simbolike mes përvojës së pasur arsimore në Shqipëri dhe përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare në diasporë.

Ceremonia u hap me interpretimin e Himnit të Flamurit nga kori i nxënësve, duke krijuar që në fillim një atmosferë krenarie dhe përkatësie kombëtare.

Fjalën përshëndetëse e mbajti znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”. Në fjalën e saj, ajo falënderoi prindërit për mbështetjen e palodhur dhe përkushtimin që tregojnë çdo javë për t’i sjellë fëmijët në shkollën shqipe. Ajo theksoi se ruajtja e gjuhës amtare është një investim në identitetin, rrënjët dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Gjatë fjalës së saj u përmendën edhe dy arritje historike që u shënuan këtë vit shkollor: hapja e klasës së parë dygjuhëshe shqip-anglisht dhe njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare komunikimi me prindërit në sistemin arsimor të qytetit të Nju Jorkut. Këta dy hapa të rëndësishëm përforcojnë praninë, prestigjin dhe dinjitetin e gjuhës sonë në institucionet arsimore. Këto arritje e kanë bërë realitet institucionalizimin e gjuhës shqipe në qytetin madhështor të Nju Jorkut.

Një moment veçanërisht emocionues i ceremonisë ishte vlerësimi i punës së mësueseve, të cilave nxënësit u dhuruan lule në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin, dashurinë dhe punën e palodhur gjatë gjithë vitit shkollor. Një gjest i veçantë mirënjohjeje erdhi nga ish-mësuesja e shkollës, znj. Majlinda Tafaj, sot pronare e restorantit “Sofra Tropojane”, e cila dhuroi një vlerë simbolike për secilën prej mësueseve si shenjë respekti dhe falënderimi për misionin e tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës e kulturës shqiptare tek brezi i ri.

Më pas, mësueset thirrën emrat e nxënësve dhe u shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes, duke kurorëzuar një vit të mbushur me mësim, përpjekje dhe suksese.

Programi artistik solli një mozaik të pasur të kulturës shqiptare përmes këngëve, recitimeve dhe valleve tradicionale. Çdo klasë kishte përgatitur me kujdes dhe dashuri performancën e saj. Të pranishmit shijuan pamjen e bukur të kostumeve tradicionale, muzikën dhe interpretimet e bukura të Valles së Tiranës, Valles së Tropojës, Kërcimit me Tupana, Valles së Kukësit dhe valles “Kuq e Zi” të grupit të më të vegjëlve. Nuk munguan as interpretimet me fyell (recorder), të cilat sollën tinguj të veçantë dhe emocionues në skenë.

Nxënësit recituan me ndjenjë vargje kushtuar gjuhës shqipe, atdheut, lirisë, nënës, familjes dhe identitetit tonë kombëtar. U interpretuan gjithashtu poezi falënderuese për mësueset dhe për vetë shkollën, duke përcjellë mirënjohje e dashuri për ata që mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare tek brezi i ri.

Mes shumë momenteve artistike spikatën interpretimet e këngëve “Po festojnë shqiponjat”, “Gjuha Jonë”, “Mësueses Sime”, “E Imja Kosova”, “Kënga e Nënës”, “Sa i Dua Lulet” dhe “Qingji i V ogël”, të cilat sollën emocione të veçanta tek prindërit dhe të gjithë të pranishmit.

Programi u mbyll në mënyrë simbolike me “Këngën e Alfabetit”, interpretuar nga kori i shkollës, një kujtesë e bukur se çdo shkronjë e mësuar në shqip i afron fëmijët edhe më shumë me rrënjët, kulturën dhe identitetin e tyre.

Në pamundësi për të përmendur emrat e të gjithë nxënësve që recituan dhe performuan me një shqipe të bukur e me zemër të madhe, shkolla do të ndajë në ditët në vijim fragmente të veçanta të programuara nga aktiviteti. Çdo fëmijë solli të paktën një varg, një këngë, një valle apo një moment krenarie, duke dëshmuar se gjuha shqipe jeton, rritet dhe lulëzon në zërat e brezit të ri.

Kjo ceremoni nuk ishte thjesht mbyllja e një viti shkollor. Ajo ishte dëshmia se, edhe larg trojeve tona, fëmijët tanë vazhdojnë të mësojnë, të flasin, të këndojnë dhe të ëndërrojnë në gjuhën e zemrës, në gjuhën e rrënjëve tona.

Suksesi i këtij viti shkollor është edhe rezultat i punës së palodhur të stafit mësimor të shkollës. Shkolla shpreh mirënjohjen e saj për mësueset Mirjana Lukic, Yllka Gashi, Zeta Durmishi, Life Buzhiqi, Suela Bashkurti, Arlinda Hysenukaj, Alma Karaj, Eliana Martinaj,

Drilona Sadikaj, Albana Gjocaj, Albana Kurbogaj, Myzejene Sadikaj dhe Edona Hoti, të cilat gjatë gjithë vitit kontribuan me përkushtim për t’u përcjellë nxënësve gjuhën, kulturën dhe vlerat shqiptare.

Një vit tjetër u mbyll me sukses, por misioni ynë vazhdon: të mbajmë gjallë gjuhën shqipe, kulturën dhe rrënjët tona tek brezat që do të ndërtojnë të ardhmen.