Në Gjykatën Speciale vazhdoi procesi kundër Thaçit e 4 të tjerëve për “pengim të drejtësisë”

Hagë, 2 mars 2025 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit nisi të hënën të marrë në pyetje dëshmitarin e parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit të akuzuar për pengim të drejtësisë.

Dëshmitari, i cili kishte nisur dëshminë më 27 shkurt si i ftuari i parë i Prokurorisë në këtë rast, u mor në pyetje nga avokatja e Thaçit, Sophie Menegon. Në gjykatore u bë e ditur se ai është pjesë e stafit të Prokurorisë dhe seanca u mbyll për publikun herë pas here.

Avokatja Menegon u fokusua në procedurat që lidhen me dëshmitarët në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ajo kujtoi se disa prej tyre e kanë bërë vetë publike faktin se janë ftuar për të dëshmuar. Ajo i përmendi Rrustem Mustafën, të njohur si Remi, Bislim Zyrapin, Sylejman Selimin dhe Shukri Bujën, të cilët, siç tha ajo, kishin njoftuar publikisht se ishin ftuar për të dëshmuar në Hagë.

Dëshmitari i Prokurorisë tha se këta dëshmitarë nuk ishin vendosur nën masa mbrojtëse, pasi ishin figura publike dhe kishin folur publikisht për këto çështje ose kishin dëshmuar në procese të tjera gjyqësore lidhur me akuzat të cilat u vihen barrë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Hajredin Kuçi, kanë ndërhyrë në çështjen gjyqësore në rastin Thaçi dhe të tjerët. Në seancën paraprake, të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Në deklaratën hyrëse, Prokuroria ka thënë se Thaçi i ka udhëhequr tri grupe në përpjekje për të ndikuar dëshmitarë të caktuar në rastin e parë kundër tij. Ajo ka deklaruar se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime të realizuara në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku pretendohet se Thaçi i udhëzon të akuzuarit që të ndikojnë që dëshmitarë të caktuar, përfshirë edhe dëshmitarë të mbrojtur, që t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre.

Prokuroria ka thënë gjithashtu se te disa nga të akuzuarit janë gjetur materiale që dyshohet se u janë dhënë nga Thaçi.

Javën e kaluar përfundoi paraqitja e deklaratave përfundimtare të të gjitha palëve në proces. Ptrokuroria kërkoi nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat pernale “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili. Ndërkaq,  mbrojtja e të akuzuarve tha se nuk ka prova se ata kanë kryer krimet që u ngarkohen dhe ka kërkuar që ata të shpallen të pafajshëm dhe të lirohen nga paraburgimi.

Çështja tani ështe te trupi gjykues, i cili ka tre muaj afat për të shpallutr aktgjykimin. Por, trupi gjykues ka edhe mundësi të kërkojë zgjatjen e këtij afati.

(r.m.)

Comment

*