Hagë, 27 shkurt 2026 – Në Gjykatën Speciale në Hagë sot (e premte) filloi procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu, të cilët akuzohen për veprën penale “pengim i drejtësisë”.
Ata akuzohen për përpjekje për ndikim te dëshmitarët e Prokurorisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, në të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në paraqitjen e aktakuzës, thanë se Thaçi akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe për tetë vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Ata thanë se Thaçi mban përgjegjësi për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Smakaj, Kilaj dhe Fazliu akuzohen për veprat penale “tentim i pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “mosbindje ndaj gjykatës”, ndërsa Kuçi akuzohet për veprën penale “mosbindje ndaj gjykatës”.
Të gjithë të akuzuarit, sikurse në seancën përgatitore, pësrsëri u deklaruan të pafajshëm për veprat që u vihen në barrë.
Kryeprokurorja Kimberly West dhe prokurori Joshua Hafetz, në fjalën e hyrjes, shpalosën akuzat specifike për të gjithë të akuzuarit.
“Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë shkelur vendimet gjyqyqësore që kanë pasur për synim që dëshmitarët dhe viktimat të japin dëshmi pa pasur frikë dhe që të kenë besimin se do t’u ruhej identiteti”, tha Kryeprokurporja West, ndër të tjera.
“Thaçi akuzohet se në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar që të ndërhyjë në dëshmitë e dëshmitarët dhe ka shkelur të gjitha rregullat e gjykatës që kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e informacionit konfidencial. Të bashkëakuzuarit kanë marrë pjesë në këto krime”, shtoi West.
“Të gjithë të akuzuarit kanë pasur një synim të vetëm: pengimin e procedurës penale në përfitim të Thaçit”, theksoi ajo.
Kryeprokurorja Kimberly West i cilësoi të akuzuarit si “pjesë të një grupi të vogël që e vendosin interesin e tyre mbi të tjerëve” dhe theksoi se Prokuroria do ta argumentojë veprimtarinë e tyre, pavarësisht se kanë arritur apo jo të ndikojnë te dëshmitarët e prokurorisë.
Prokurori Joshua Hafetz tha se të akuzuarit kanë marrë nga Thaçi udhëzime për të ndikuar te dëshmitarët e prokurorisë që t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre gjatë procesit gjyqësor.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të tregojë se udhëzimet e Thaçit kishin një shënjestër: dëshmitarët specifikë, dëshmia e të cilëve, sipas Thaçit, përbënte kërcënim për të”, tha ai.
“Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja [për krime lufte] Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij”, tha Hafetz.
“Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat brenda UÇK-së, në mënyrë të veçantë ata që mendonte se ishin vendimtarë në gjykimin ndaj tij, ata që duhet të flisin për strukturën e UÇK-së dhe për rolin e tij si drejtues. Të dytët ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë [Thaçin]”, tha prokurori Hafetz.
Ai tha se Thaçi kishte udhëzime të veçanta për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapin.
“[Thaçi] Dha udhëzime si të jepte dëshmi, se duhej të ishte konciz, të mos i jepte shumë gojës”, tha prokurori Hafetz.
Ai tha se ZPS ka dëshmi të shumta kundër Thaçit dhe të akuzuarve tjerë, përfshirë nëntë audio-incizime në qendrën e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike dhe dokumentet që ishin printuar nga printeri që Thaçi e përdorte në Hagë.
Prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thanë se Thaçi ka punuar me tri grupe të ndryshme në përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët. Sipas tyre, në grupin e parë bënin pjesë i akuzuari Fadil Fazliu dhe djali i tij, Fahriu, në grupin e dytë ishin ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj dhe Blerim Shala e Artan Behrami, kurse në grupin e tretë bënin pjesë Hisni Kilaj e Vllaznim Kryeziu.
“Provat tregojnë se anëtarët e secilit prej grupeve ‘Fazliu’, ‘Smakaj’ dhe ‘Kilaj’, të udhëhequra nga Thaçi, kanë marrë pjesë në përpjekjet për të penguar dëshmitarët e shënjestruar të çështjes 6 [për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit]. Nuk ka asnjë dyshim se të akuzuarit e dinin se çfarë po bënin dhe e dinin se ajo përbën vepër penale”, tha njëri nga prokurorët e specializuar.
Gjatë seancës, u dëgjuan edhe disa audio-incizime nga qendra e paraburgimit në Hagë dhe disa dokumente të gjetura te të akuzuarit tjerë, të cilat Prokuroria i përdor si prova kundër Thaçit dhe të akuzuarve tjerë për “pengim të drejtësisë” dhe për “përpjekje për urshtim të ndikimit ndaj dëshmitarëve”.
Në përfundim të paraqitjes së fjalës hapëse, prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thanë se provat kundër pesë të akuzuarve janë bindëse dhe kërkoi që ata të dënohen sipas ligjit.
“Ata kanë kryer vazhdueshëm krimet e përmendura në aktakuzë me vetëdije dhe kërkojmë që ata të dënohen në përputhje me ligjin”, thanë ata, duke përkujtuar se me ligjet e Kosovës vepra penale “pengim i drejtësisë” dënohet me burgim prej 1 deri në 5 vjet.
Avokati i Smakajt Jonathan Rees, Avokati i Kilajt Ian Edwards i hodhën poshtë akuzat e Prokurorisë, me arsyetim se auto-regjistrimet dhe materialet tjera të Prokurorisë nuk janë prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzave ndaj klientëve të tyre. Të dy theksuan se akuzat e prokurorisë bazohen në deklarata të rreme të dëshmitarëve të prokurorisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.
Pas fjalëever hyrëse të Prokurorisë dhe të mbrojtësve të të akuzuarve, filloi paraqitja e dëshmitarëve të prokurorisë.
I pari nisi dëshminë e tij dëshmitari i mbrojtur, me shifrën “07”, të cilit iu ndryshua edhe zëri, në mënyrë që të mos i zbulohej identiteti.
Në fillim të dëshmisë së tij, dëshmitari “07” u përgjigj në pyetjet e Prokurorisë lidhur me çështje procedurale që lidhen me dëshmitarët si: të drejtat e dëshmitarëve, udhëtimet e tyre në Hagë, përgatitjet për paraqitje të dëshmive, kohëzgjatjet e dëshmive, masat mbrojtëse, etj.
Mbrojtja e Thaçit dhe të katër të akuzuarve të tjerë nuk pranuan që sot të nisnin marrjen në pyetje të dëshmitarit “07”. Avokatja e Thaçit kërkoi dy orë për pyetje për dëshmitarin. Gjykatësi vendosi që dëshmia e dëshmitarit “07” të vazhdojë të hënën.
(r.m.)