Në Hajvali zhvarrosen mbetjet mortore të katër personave që dyshohet të jenë të kohës së luftës

Prishtinë, 21 tetor 2025 – Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit ka njoftuar se të martën, në varrezat e fshatit Hajvali, në periferi të Prishtinës, janë zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave. Dyshohet se bëhet fjalë për mbetje mortore të kohës së luftës.

“Në këtë lokacion, deri në këtë moment kemi arritur të gjejmë mbetje mortore të katër personave… ose së paku edhe katër personave”, ka thënë kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti, në një deklaratë për media.

Policia e Kosovës, e cila ka asistuar në procesin e zhvarrosjes, ka bërë të ditur se mbetjet e zhvarrosura janë dërguar për identifikim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime mjeko-ligjore. Punimet pritet të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Rasti në proces hetimi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i ka cilësuar si të bazuara dyshimet se këto mbetje i përkasin periudhës së luftës së fundit. Ai ka thënë se në institut do të bëhet ekzaminimi dhe identifikimi i mbetjeve.

“Pas ekzaminimit dhe identifikimit, do t’i njoftojmë familjarët”, ka thënë ai.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit ka thënë se në këto varreza të Hajvalisë gërmimet u bënë për herë të dytë. Ai ka thënë se herën e parë, në gërmimet që ishin bërë menjëherë pas luftës, ishin gjetur mbetjet e tetë personave.

Gara ka thënë se sfidë kryesore për gjetjen e mbetjeve të personave të zhdukur gjatë luftës mbetet mungesa e vullnetit të Serbisë që të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës për sigurimin e informacioneve për të besueshme për lokacionet ku janë varrosur viktimat e strukturave militare e paramilitare serbe.

Andin Hoti ka thënë se sivjet janë bërë gërmime në 24 lokacione brenda territorit të Kosovës, në 12 prej të cilave janë gjetur mbetje mortore të personave që potencialisht mund të jenë në listën e personave të zhdukur gjatë luftës.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bëri të ditur se gërmimet janë kryer pas informatave të pranuara nga qytetarët.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë njerëz, ndërsa 1534 vazhdojnë të jenë të zhdukur. Shumica e të vrarëve ishin civilë shqiptarë.

Në vitin 2023 Kosova dhe Serbia ishin pajtuar  që çështja e personave të zhdukur gjatë luftës të ddresohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në deklaratën e përbashkët, dy palët ishin pajtuar ishin zotuar që të mundësonin qasje të  plotë në informacione të besueshme, përfshirë informacionet e klasifikuara, si edhe vënien në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur. Por, deklarata ka mbetur vetëm një letër pa vlerë, sepse deri më tash nuk është përmbushut asnjëri nga këto zotime.

(r.m.)