Në Han të Elezit u shënua 24 vjetori i eksodit të shqiptarëve “Blaca ’99”

Prishtinë, 10 prill 2023 – Në Han të Elezit u mbajt sot manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca ‘99”.

Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka, tha se është obligim i të gjithëve ta mbajnë gjallë kujtimin për Bllacën e vititt 1999, e cila ishte pasqyrim i pwrpjekjeve tw Serbisw pwr pastrimin etnik tw Kosovws.

Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë me shumë për mirëmbajtjen e memorialit Bllaca ‘99”.

“E kemi për obligim ta mbajmë gjallë Bllacën e vitit 99-të, 440 mijë njerëz kanë kaluar nëpër Bllacë… Qeveria e Kosovës, pa marrë parasysh kush vjen kryeministër, duhet të ketë interesim më të madh për mirëmbajtjen e memorialit”, tha Lluka.

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, tha se Bllaca do të jetë pjesë e historisë së Kosovës. Ai tha se komuna e Hanit të Elezit do të mbështesë të gjitha projektet dhe manifestimet për Bllacën e vitit 1999.

“Bllaca është simbol i tragjedisë së shqiptarëve, por njëkohësisht dhe simbol i qëndrueshmërisë. Me angazhimin tonë, Bllaca 99-të do të jetë përherë pjesë e historisë sonë, sepse vetëm duke i kujtuar do ta mbajmë gjallë ndjenjen e atdhedashurisë”, tha Ballazhi.

Me rastin e 24 vjetorit të Eksodit të Bllacës, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta ua ndau çmimin “Hasan Prishtina” 24 komunave, bashkësive lokale, shoqatave humanitare, organizatave joqeveritare dhe mediumeve nga Maqedonia e Veriut për ndihmën që kishin dhënë për refugjatët kosovarë.

Me rastin e 24 vjetorit të eksodit të vitit 1999, në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit u hap ekspozita e fotografive të Asllan Krasniqit me 24 fotografi nga kampet e refugjatëve kosovarë në Bllacë, në Stenkoc të Shkupit dhe në Çegran të Gostivarit.

Në Bllacë u mbajt edhe një orë letrare me poezi të zgjedhura nga komisioni i konkurdit letrar “24 poetë – 24 poezi – 24 vjetori”, e cila u përcoll me një program artistik të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Prishtina.

(r.m.)