Prishtinë, 29 maj 2025 – Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës kanë nisur gërmimet brenda hapësirës së Burgut të Dubravës, në kërkim të mbetjeve mortore të një personi të zhdukur gjatë ose pas luftës në Kosovë.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, bëri të ditur se hetimet janë ndërmarrë pas identifikimit të një dëshmitari nga Policia e Kosovës, i cili ka ofruar informacione të rëndësishme për një ngjarje që ka ndodhur menjëherë pas përfundimit të luftës.
“Sipas dëshmitarit, një person ishte gjetur i vdekur në pjesën e malit, disa ditë pas luftës. Pa ndihmën e askujt, dëshmitari e kishte varrosur në një lokacion që tani është brenda perimetrit të burgut. Ai na e ka treguar vendin dhe, bazuar në dëshminë e tij, janë duke u zhvilluar gërmimet”, ka thënë Morina.
Ai ka thënë se ekipet e specializuara të Institutit të Mjekësisë Ligjore po punojnë për të konfirmuar nëse vendi i treguar përmban mbetje të personit të zhdukur.
(r.m.)