Në Istog arrestohet një boshnjak i dyshuar për krime lufte

Prishtinë, 19 tetor 2022 – Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën mbrëma, se ka arrestuar të pandehurin me inicialet E.B, pjesëtar i nacionalitetit boshnjak, i dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Prokuroria bën të ditur se i pandehuri E.B. dyshohet se gjatë viteve 1998 – 1999, kur ka qenë me detyrë polic në stacionin policor në Gjurakoc të Komunës së Istogut, ka qenë  pjesëmarrës në kryerjen e masakrës në fshatin Staradranë, ku kanë mbetur të vrarë tetëmbëdhjetë (18) persona.

“Me këto veprime, i pandehuri E.B., dyshohet se ka kryer veprën penale ’Krim i Luftës kundër popullatës civile’, i sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri E.B., është ndaluar në periudhë kohore prej 48 orësh, në pritje të dërgimit te Gjyqtari i Procedurës Paraprake brenda afatit Ligjor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

(r.m.)