Në Itali, arrestohet një bos i mafias pas tri dekadash në arrati

Romë, 16 janar 2023 – Pas tri dekadash në arrati, policia italiane e ka arrestuar njërin nga bosët e mafias. Matteo Messina Denaro, 60-vjeçar, u arrestua në një klinikë private në Palermo, ku kishte shkuar për kontroll mjekësor. Televizioni shtetëror Italian njoftoi se ai është dërguar në një vend sekret menjëherë pas arrestimit.

Messina ishte i fundit nga tre bosët e mëdhenj të mafias siciliane, i arratisur për një kohë të gjatë. Ai kishte arritur t’i shpëtonte kapjes pavarësisht se për gjurmimin e tij ishin angazhuar qindra oficerë policie gjatë gjithë këtyre viteve.

This image has an empty alt attribute; its file name is Matteo-Messina-Denaro.jpg

Denaro përballet me disa dënime me burgim të përjetshëm. Sipas prokurorisë italiane, 60-vjeçari është përgjegjës për dy sulme me bomba në Sicili në vitin 1992 në të cilat ishin vrarë prokurorët kryesorë të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se kapja e Messina Denaros është një “fitore e madhe e shtetit”. Ajo tha se kjo dëshmon se shteti “nuk dorëzohet përballë mafies”.

Arrestimi i matteo Messina Denaros ndodh 30 vjet pas kapjes të “bosit të bosëve”, Salvatore “Toto” Riina, i cili ishte arrestuar më 15 janarit të vitit 1993, në një apartament në Palermo, pas 23 vjetësh në arrati.

Bosi i mafies italiane që vendosi rekordin për kohën më të gjatë në arrati ishte Bernardo Provenzano, i arrestuar në një fermë në Siçili, në vitin 2006 pas 38 vitesh si i arratisur.

Fakti që të tre bosët kryesorë të mafias u arrestuan në zemër të Siçilisë, ndërsa ata ishin në arrati për dekada nuk i ka habitur policinë dhe prokurorët italianë.

Organet e zbatimit të ligjit kanë thënë prej kohësh se ata mbështeteshin në kontaktet dhe konfidencialitetin e njerëzve të afërt dhe anëtarëve të familjeve bashkëpunëtore për t’i zhvendosur të arratisurit nga streha në strehë, për të furnizuar me ushqime dhe për yë ruajtur kodin e heshtjes, të njohur si “omerta”

Të kujdesshëm që të mos gjurmoheshin, bosët e mafies në Itali nuk përdorin telefon celular. Shpesh ata komunikojnë me mesazhe të shkruara të koduara, të njohura si “pizzini”.

(r.m.)