Në Kongresin Amerikan paraqitet rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Uashington, 1 maj 2026 – Kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler e kanë paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake, nënvizon se “qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë argumente bindëse për anëtarësimin e saj në aleancën veri-atlantike.

Ajo thekson se pranimi i Kosovës në NATO do të jetë kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të frenuar këto përpjekje armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

Kongresisti Keith Self, si nismëtar i hartimit të rezolutës, u kërkoi Shteteve të Bashkuara t’i nxisin Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë”, tha kongresisti Self.

Ai argumentoi se përfshirja e Kosovës në aleancë është thelbësore për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të kundërshtarëve në Evropë.

Rezoluta vë në pah edhe faktin se katër shtete anëtare të NATO-s – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, duke e konsideruar këtë si një pengesë që e bllokon avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në aleancë.

Për këtë arsye, rezoluta u bën thirrje këtyre katër vendeve që t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke argumentuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt NATO-s dhe për të mbyllur një “boshllëk strategjik” në Evropën Juglindore, të cilin kundërshtarët mund të tentojnë ta shfrytëzojnë.

Anëtarësimi në NATO është ndër synimet e kamotshme të Kosovës, qëkurse ajo e shpalli pavarësinë më 2008.

(r.m.)