Prishtinë, 7 shtator 2021 – Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditse 17 për qind e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, deri më 6 shtator, Ndërkaq, dozën e pare të vaksinës e ka marrë 35 për qind e popullsisë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Mirëpo, kjo ministri ka shtuar se, nëse analizohen shifrat e popullsisë që mund të marrë këtë vaksinë, del se 50 për qind e njerëzve janë imunizuar me dozën e parë, ndërsa me dozën e dytë janë imunizuar 25 për qind e popullsisë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova duhet të vaksinojë 1 milion e 260 mijë qytetarë kundër COVID-19.
Sipas webfaqes OurWorldinData, Serbia prin nga vendet e rajonit me vaksinim të plotë në nivel të përgjithshëm të popullsisë, 41 për qind. Ajo pasohet nga Mali i Zi, me 30 për qind, Maqedonia e Veriut me 26 për qind, Shqipëria me 23 për qind dhe Bosnje-Hercegovina me 11 për qind.
Sipas kësaj faqeje, 40.4 për qind e popullsisë botërore e ka marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19.
Në total, autoritetet shëndetësore në botë kanë dhënë 5.49 miliardë vaksina, derisa vlerësohet se 32.11 milionë të tilla janë duke u dhënë çdo ditë.
Sipas të dhënave në këtë faqe, vetëm 1.8 për qind e njerëzve në shtetet me të ardhura të ulëta kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
(r.m.)