Prishtinë, 3 shtator 2021 – Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se sipas të dhënave të shtatëditëshit të fundit, duke mos përfshirë të dhënat e 3 shtatorit, mbi 93 për qind e personave me COVID-19, që po trajtohen në spitale, kanë qenë të pavaksinuar kundër koronavirusit.
Gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Komitetit për parandalimin e koronavirusit, Vitia po ashtu tha se në shtatë ditët e kaluara, kanë vdekur 170 qytetarë.
“Gjatë kësaj jave, 170 persona kanë humbur jetën dhe nga numri total i të vdekurve, 149 kanë qenë të pavaksinuar”, tha Vitia.
Ai po ashtu bëri të ditur se në mesin e viktimave, vetëm për dy prej tyre nuk kanë të dhëna nëse kanë pasur sëmundje shoqëruese, ndërsa shumica e viktimave kanë pasur edhe sëmundje të tjera.
“Vaksinimi nuk ka alternativë. Valë të reja mund dhe do të pasojnë pas kësaj pa vaksinim. Valë të reja janë të pashmangshme. Vetëm vaksinimi i parandalon këto valë”, tha Vitia.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë e masave të reja para 13 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat e fundit të ndërmarra nga qeveria.
Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani tha se ditëve të fundit ka indikatorë që gjendja epidemiologjike është duke shkuar drejt përmirësimit. Ndër indikatorët ai tha është edhe përqindja e poztivitetit, ku më parë 20 për qind e të testuarve dilnin pozitiv, e tani, sipas Ramadanit kjo shifër është 13 për qind.
Valbon Krasniqi, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar tha se situata epidemiologjike ka tri karakteristika të reja.
“Karakteristika e parë dalluese është që kemi numër të madh të të infektuarve në një periudhë të shkurtër kohore. Pra, virusi ka fituar një fuqi, shpejtësi dhe lehtësi me të cilën po përhapet në mesin e popullatës. Karakteristika e dytë dalluese nga valët e kaluara duke që varianti Delta ka fituar fuqi edhe në agresivitet të sëmundjes, pra në forma të rënda që po shkakton te njerëzit që po preken dhe karakteristika e tretë është prekja edhe e grupmoshave të reja, duke mos kursyer as fëmijtë dhe gratë shtatzëna”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se vaksinimi mbron nga sëmundja e rëndë, duke theksuar se personat e shtrirë në spitale, që kanë një apo dy doza, kanë pasqyrë më të lehtë klinike dhe po shërohen më shpejt.
Javëve të fundit, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve të reja me COVID-19 dhe të vdekjeve. Vetëm gjatë të premtes, u regjistruan edhe 26 viktima dhe mbi 1.400 raste të reja.
(REL)