Në Kosovë arrestohen 10 të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare

Prishtinë, 19 shtator 2023 – Dhjetë persona janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet se kanë keqpërdorur kartelat bankare dhe kanë ndërhyrë në sistemet kompjuterike.

Policia e Kosovës njoftoi se të martë, pas hetimeve disamujore, ka kryer kontrolle në 14 lokacione në Prishtinë, Gjilan Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan.

“Gjatë operacionit policor të sotëm janë arrestuar dhjetë persona, nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale: ‘lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’ dhe ‘hyrje në sistemet kompjuterike’”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova të ndryshme, përfshirë kompjuterë, telefona celularë, USB, kartela bankare, dokumente, si dhe tri armë dhe municion.

Dyshohet se të arrestuarit kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim, duke bërë transaksione e tërheqje të parave nga bankomatët dhe kanë blerë gjësende të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur t’i komprometojnë në forma të ndryshme.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se të arrestuarit dyshohen se kanë dëmtuar katër institucione financiare kurse vlera e dëmit të shkaktuar deri më tani e tejkalon shumën prej 400.000 eurosh.

Të dyshuarve u është caktuar masa e sigurisë ndalim prej 48 orësh.

Në Kosovë operojnë 12 banka komerciale, nëntë prej të cilave janë në pronësi të huaj.

(r.m.)