Në Kosovë, arrestohen 5 serbë të dyshuar për vrasjen e 6 civilëve shqiptarë gjatë luftës

Prishtinë, 1 mars 2026 – Policia e Kosovës ka bërë të ditur të dielën se i ka arrestuar pesë persona në Skenderaj, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për arrestim të serbëve lokalë të Kosovës.

Të dyshuarit besohet që i kanë vrarë gjashtë civilë shqiptarë në fshatin Syriganë të Skenderajt në periudhën maj–qershor 1998. Atyre u është caktuar një masë fillestare prej 48 orësh paraburgim.

Policia ka thënë se ata janë arrestuar gjatë një operacioni të kryer në orët e hershme të mëngjesit në pesë lokacione të ndryshme në komunën e Skenderajt dhe një lokacion në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë batisjeve në objektet e banimit dhe në objektet përcjellëse janë konfiskuar: një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, një armë brezi e tipit Zastava M-57, dy karikatorë dhe 77 fishekë, një pushkë gjuetie me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi, si dhe uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.

(r.m.)

Comment

*