Në Kosovë arrestohen dy të dyshuar si spiunë të Shërbimit Sekret të Serbisë 

Prishtinë, 5 qershor 2024 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dy persona, shtetas të Kosovës, janë arrestuar të mërkurën në Kosovë, nën dyshimin për spiunazh. Arrestimi I tyre është bërë gjatë një operacioni të kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria bëri të ditur se me vendim të saj dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe se ndaj tyre do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Në njoftimin e prokurorisë nuk është njoftuar se ku është kryer operacioni dhe nuk janë publikuar informacione për identitetin e të arrestuarve, për përkatësinë etnike të tyre dhe për dyshimet se për kë kanë spiunuar.

Gazeta Express, duker iu referuar burimeve të saj, ka raportuar se arrestimi është bërë në Ferizaj dhe se dy të arrestuarit, me inicialet B.SH. dhe M.Q., dyshohen për spiunazh dhe për bashkëpunim me Shërbimin Sekret të Serbisë, BIA.

Sipas burimeve të gazetës, dyshohet se ata kanë bashkëpunuar për shumë vite me strukturat e inteligjencës serbe. Sipas tyre, njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, punë kjo të cilën e ka kryer edhe pas luftës, gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.

Tash për tash nuk ka informacione të verifikuara mbi dy të arrestuarit.

(r.m.)